Rastet e Hagës / Xhaferi: Ajo histori ka përfunduar, ligjet janë miratuar

Rastet e Hagës janë zgjidhur në mënyrë ligjore dhe ajo histori ka përfunduar. Kështu ka deklaruar në Tetovë kryeministri teknik, Talat Xhaferi, në përgjigje ndaj gazetarëve lidhur me rekomandimin e Këshillit të Evropës për revokimin e Ligjit për amnisti të vitit 2011 dhe procedimin e katër rasteve të Hagës.

“Tashmë kam dhënë përgjigje se çështja ka përfunduar në kontekst të legjislacionit dhe situatës në vend. Ajo histori ka përfunduar, ligjet janë miratuar”, tha Talat Xhaferi.

Të premten më edhe Partia Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese iniciativë për heqjen e pengesave ligjore, me çka do të mundësohet të vazhdojë procedura për katër rastet e Hagës – “Udhëheqësia e UÇK-së”, “Penda e Likovës”, “Varrezat në Neproshten” dhe “Punëtorët e Mavrovës”. Në iniciativën e tij, Pavle Trajanov kërkon anulimin e interpretimit autentik të nenit 1 të Ligjit për amnisti me të cilin është ndërprerë procedura për katër rastet e Hagës.

Sipas Trajanovit, ky interpretim është në kundërshtim me Kushtetutën, Kodin penal dhe Konventat e Gjenevës me të cilat është definuar se krimet kundër civilëve nuk vjetërsohen.