Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në konferencën me sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken vlerësoi sot mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Është një mbështetje e vazhdueshme, e rëndësishme dhe e dobishme për ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se ky është një proces që varet nga çfarë bëjmë ne dhe gjykimi dhe vlerësimi i partnerëve dhe aleatëve tanë në BE, por prej disa vitesh ne kemi ndjerë dhe e çmojmë shumë interesimin e vazhdueshëm të administratës amerikane, posaçërisht të Departamentit të Shtetit.
“Kemi parë faktin se në vazhdimësi Sekretari i Shtetit në takimet e rëndësishme me aleatët europianë, nuk e lë pa nënvizuar nevojën për ta shtyrë më tutje anëtarësimin në BE, si interes strategjik i SHBA-së”, tha Rama.