Gjyqi i parë penal ndaj Trumpit pritet të nisë muajin e ardhshëm

Gjyqi i parë penal ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të nisë muajin e ardhshëm, raporton agjencia “AP” të enjten.

Trumpit i është refuzuar kërkesa nga gjykata në Manhattan për ta shtyrë fillimin e seancës gjyqësore, ku akuzohet se ka paguar 130 mijë dollarë aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniles në vitin 2016, që ajo të heshtë për aferën që kanë pasur.

Trump po ashtu akuzohet se ka bërë mashtrime financiare, duke thënë se këtë shifër e ka paguar për tarifa ligjore.

Po përballet me 34 pika të akuzave për mashtrim financiar, ndërsa është deklaruar i pafajshëm.

“Kërkesa e të akuzuarit është refuzuar”, ka thënë gjykatësi Juan Merchan.

Zgjedhja e jurisë do të nisë më 25 mars.

Avokati i Trumpit, Todd Blanche, e ka quajtur “padrejtësi të vërtetë”.

Ai ka thënë se kjo e vendos Trumpin në “pozitë të pamundur”.

Blanche ka thënë se fillimi i gjyqit në mars do të pengojë ciklin zgjedhor, pasi republikanët votojnë në atë kohë se kë duan ta nominojnë për president.