Begaj uron presidentin e ri të Finlandës: Suksese në këto kohë sfidash gjeopolitike

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka uruar presidentin e ri të Finlandës.

“Urime presidentit të Finlandës, Alexandër Stubb. Ju uroj sukese në udhëheqjen e vendit tuaj në këto kohë sfidash gjeopolitike”, shkruan Begaj në rrjetin social “X”.

Ish-kryeministri Alexander Stubb ka fituar balotazhin zgjedhor kundër ish-ministrit të Jashtëm Pekka Haavisto për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Finlandës dhe për të marrë përsipër detyrën e drejtimit të politikës së jashtme dhe të sigurisë të vendit nordik tani që është anëtar i NATO-s.

Me të gjitha votat e numëruara të dielën, Stubb i qendrës së djathtë të Partisë së Koalicionit Kombëtar kishte 51.6 përqind të votave, ndërsa kandidati i pavarur Haavisto nga e majta e gjelbër mori 48.4 përqind të votave.