Bytyqi kandidat i përbashkët për president, Kovaçevski: Secili që plotëson kriteret mund të propozohet

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, duke komentuar sot deklaratën e zëvendëskryeministrit Fatmir Bytyqi se do të pranonte të jetë kandidat i përbashkët për president të vendit, theksoi se kjo dëshmon se LSDM-ja është në nivel jashtëzakonisht demokratik dhe secili që plotëson kriteret konform rregullores mund të propozohet.

“Ajo që thotë nënkryetari i partisë Bytyqi është absolutisht në korrelacion me atë që e them, ajo është se kjo procedurë në partinë tonë është në nivel jashtëzakonisht të lartë demokratik. Mund të propozohet kushdo që plotëson kriteret konform rregullave dhe kandidaturën dhe ambicien e secilit, kapacitetin dhe potencialin e secilit dhe natyrisht do të merren parasysh nga Këshilli qendror dhe ekzekutiv i partisë”, ka thënë Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetarin e partisë Socialdemokrate të Gjermanisë Lars Klingbeil në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve.

Kovaçevski shton se do të nominohet kandidat për president ai i cili do të vazhdojë të bëjë atë që bën Qeveria, kjo është që të vazhdojë integrimin evropian të vendit. Ndryshe, dje zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi në intervistën për Alsat-M në pyetjen nëse do të pranonte të jetë kandidat për president, tha se do ta pranonte një ofertë të tillë nëse kërkohet kandidat konsensual.

Lidhur me informacionet se Bujar Osmani kinse do të jetë kandidat i BDI-së për kryetar, Kovaçevski tha se çdo parti politike ka të drejtë legjitime të propozojë kandidat për president. “Çdo parti politike ka të drejtën e saj legjitime të nominojë kandidat për president. Çdo koalicion politik ka të drejtë legjitime të kandidojë dhe çdo individ ka të drejtë legjitime të kandidojë për president për çdo funksion tjetër”, ka thënë Kovaçevski.