O’Brien: Kosova ta themelojë Asociacionin, Serbia t’i mbajë përgjegjës të përfshirët në sulmin e Banjskës

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës të hënën ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa i bëri thirrje Serbisë t’i mbajë përgjegjës ata të cilët kishin gisht në sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në veri të Kosovës.

Përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur – ku u vranë një polic dhe tre sulmues – e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, e cila e mohoi çdo përfshirje, por e ka lënë të lirë Radoiçiqin, me kusht që të mos udhëtojë drejt Kosovës.

Në një postim në rrjetin social X, O’Brien tha se nevojitet zbatim i plotë i marrëveshjeve të arritur mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).