Diplomatët dhe mediat e huaja janë ftuar për herë të parë të jenë pjesëmarrës ose të raportojnë mbi takimet e ardhshme politike vjetore në Rajonin Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore, thanë autoritetet vendore të dielën.
Këto takime, të njohura si “Dy sesionet”, janë mbledhjet vjetore të ligjvënësve dhe këshilltarëve politikë në nivel province, dhe gjatë tyre diskutohen planet për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të rajonit në vitin në vijim. “Dy sesionet” e nivelit kombëtar të Kinës zakonisht zhvillohen në Pekin në mars të çdo viti, pasi të kenë përfunduar mbledhjet vendore shkruan CMG.
Sesioni vjetor i asamblesë popullore rajonale të Xinjiang-ut do të hapet të martën, ndërsa komiteti rajonal i Xinjiang-ut i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez do të mblidhet të hënën, sipas një konference për shtypin të dielën.
Zyra rajonale e punëve të jashtme ka ftuar diplomatët nga ambasadat e vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), të shteteve vëzhguese dhe partnere dialogu të OBSh-së, si dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, si Sekretariati i OBSh-së dhe Instituti i Bashkëpunimit Ekonomik Rajonal të Azisë Qendrore, të marrin pjesë në mbledhje.
Dhjetëra media vendase dhe të huaja morën pjesë në konferencën e shtypit, duke përfshirë Agjencinë “Anadolu” të Turqisë, Agjencinë e Lajmeve “Antara” të Indonezisë, “The Straits Times” të Singaporit dhe “Kazinform” të Kazakistanit.