Lufta në Rripin e Gazës, shtohen presionet ndërkombëtare ndaj Izraelit

Ministrat e jashtëm të BE u mblodhën në Bruksel për të nxitur një zgjidhje dy-shtetësie për palestinezët dhe Izraelin dhe për të kërkuar një armëpushim të menjëhershëm. Ministrat u takuan me shefin e diplomacisë izraelite Israel Katz, ndërsa më vonë edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Autoritetit Kombëtar Palestinez, Rijad al-Maliki. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, këmbënguli se procesi i zgjidhjes me dy shtete për palestinezët dhe izraelitët duhet të vazhdojë.

“Situata humanitare nuk mund të ishte më e keqe, pa strehë, pa ushqim, pa ilaçe dhe nën bomba. Dhe çdo ditë ka një numër të madh njerëzish civilë që vriten. Nuk do të flas për procesin e paqes, por për procesin e zgjidhjes me dy shtete. Cilën nga zgjidhjet kanë në mendje? Për t’i bërë të gjithë palestinezët të largohen? Për t’i vrarë të gjithë? 25,000 tashmë janë vrarë në Gaza. Sigurisht mënyra e përpjekjes për të shkatërruar Hamasin nuk është ashtu siç po bëjnë izraelitët, sepse ata po mbjellin urrejtjen për breza të tërë. Ne dënojmë Hamasin. Por paqja dhe stabiliteti nuk mund të ndërtohen vetëm me mjete ushtarake”, deklaroi Josep Borrell, shefi i politikes se jashtme te BE-së.

Ministrat dënojnë ashpër qëndrimin e kryeministrit izraelit, i cili kundërshton shtet formimin palestinez. Mosmarrëveshja mbi të ardhmen e palestinezëve e vendos Izraelin kundër aleatit të tij më të lartë, Shteteve të Bashkuara, si dhe shumicës së komunitetit ndërkombëtar. Ministri i Jashtëm jordanez Ajman Safadi paralajmëroi se refuzimi nga Izraeli i një zgjidhjeje me dy shtete mund të shkaktojë më shumë pasiguri rajonale.

“Nëse e gjithë bota thotë se e vetmja rrugë përpara është zgjidhja me dy shtete, atëherë qeveria izraelite i thotë jo zgjidhjes me dy shtete. Pra, ata po sfidojnë të gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe mendoj se është koha që bota të marrë një qëndrim në anën e paqes. Kjo luftë nuk do të sjellë siguri në Izrael, kjo luftë nuk do të sjellë paqe. Izraeli nuk mund të ketë siguri për aq kohë sa palestinezëve u mohohen të drejtat e tyre”, tha Ajman Safadi, ministri i jashtëm i jordanez.

Ndërkohë ministrja e jashtme belge Hadja Lahbib tha se lufta Izrael-Hamas “nuk do të zgjidhet nëpërmjet përdorimit të armëve”.

“Ky konflikt nuk do të zgjidhet nëpërmjet përdorimit të armëve. Që nga 7 tetori, gati 25,000 vetë humbën jetën, Gaza është në një situatë urgjente ekstreme. Ekziston rreziku i zisë së bukës, i epidemive. Dhuna duhet të ndalet dhe mesazhi që do të mbaj në emër të Belgjikës është i qartë: kërkojmë një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve, respektimin e së drejtës ndërkombëtare, një kthim në procesin e paqes, që duhet të çojë në krijimin e dy shteteve që jetojnë në paqe krah për krah”, deklaroi Hadja Lahbib, ministre e jashtme e Belgjikes.

Përveç ministrave të jashtëm të BE-së, politikën e Netanjanut nuk e mbështesin as qytetarët izraelit. Ata dolën në protesta para parlamentit në Izrael dhe para rezidencës së Netanjahut, duke kërkuar një marrëveshje për të siguruar lirimin e menjëhershëm të pengjeve. Ndërkohë që në Bruksel mbahet takimi i armëpushimit dhe diskutimit për shtet formim të palestinezëve, sulmet izraelite vazhdojnë në qytetin jugor Khan Junis, ku kanë mbetur të vdekur 50 persona dhe rreth 100 të plagosur brenda 24 orëve.