Deklaratat e politikanëve rusë se Shtetet e Bashkuara po krijonin një revolucion laraman në Serbi janë qesharake – ky është komenti i ambasadorit amerikan në Beograd, Kristofer Hill, pas akuzave të Moskës se Perëndimi po krijon trazira në vend. Në një intervistë me mediat serbe, ai vuri në dukje se zgjedhjet e fundit treguan mangësitë në procesin zgjedhor. Hill shton se bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë OSBE-në, është e gatshme të ndihmojë, por se përparimi demokratik i Serbisë në fund të fundit varet nga qytetarët e saj. “I vetmi aktor ndërkombëtar që qëndron në rrugën e përparimit është Rusia – jo Amerika, jo Evropa, jo dikush tjetër në Perëndim,” thotë Hill.
“Rusisë i kanë mbetur pak miq, veçanërisht në Evropë. Kështu që ata vendosën të përdorin zgjedhjet në Serbi në një përpjekje të dëshpëruar për të mbetur faktor, duke u përpjekur të krijojnë një përplasje midis Serbisë dhe partnerëve të saj euro-atlantikë. Gjithçka që ata i ofrojnë Serbisë është paqëndrueshmëri, dhe në kundërshtim me përparimin e vendit”, tha Kristofer Hill – Ambasador i SHBA-së në Serbi.
Ndërkohë, protestat e opozitës vazhdojnë në Beograd lidhur me parregullsitë zgjedhore. Mbledhjet zhvillohen çdo mbrëmje para godinës së Komisionit Zgjedhor. Dje marshi përfundoi para godinës së televizionit shtetëror RTS, për shkak të pakënaqësisë me raportimin. Në të njëjtën kohë, për të 12-tën ditë, njëra nga krerët e koalicionit opozitar “Serbia Kundër Dhunës”, Marinika Tepiç, ka hyrë në grevë urie.
“Institucionet në Serbi si bashkëpunëtorë sigurisht nuk do të thonë – po, ne vodhëm. Kjo është e vetmja mënyrë për të paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar, për të krijuar një komision ndërkombëtar me vëzhgues dhe ekspertë ligjorë, dhe për të kontrolluar procesin zgjedhor”, theksoi Marinika Tepiq – “Serbia Kundër Dhunës”.
Opozita kërkon njohuri për listat e votuesve, sepse, siç thonë ata, ato përfshinin qytetarë të Republikës Srpska, që votuan si banorë të Beogradit. Dyshimet për falsifikim zgjedhor u konfirmuan nga vëzhguesit e OSBE-së, të cilët vunë në dukje se zgjedhjet shënuan parregullsi serioze, keqpërdorim të mjeteve publike, dominim mediatik të Presidentit Aleksandar Vuçiç, fushatë negative dhe përhapje të frikës.