Njohja e targave RKS – Kosova e quan maskim, qytetarët nga Serbia presin vendim edhe nga Kosova

Simbolet shtetërore të Kosovës, nuk do të ketë nevojë që të mbulohen me letra ngjitëse nga viti i ardhshëm.

Qytetarët që posedojnë targat RKS, pritet që të qarkullojnë lirshëm me to edhe në Serbi.

Vendimi është marrë të hënën nga Qeveria e Serbisë. Sipas shefit të zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq vendimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari dhe i njëjti nuk nënkupton njohjen e shtetësisë së Kosovës, por zbatimin e marrëveshjes së arritur me 2011 për lëvizjen e lirë.

Vendimi i autoriteteve serbe është mirëpritur nga qytetarët e Serbisë, që të martën erdhën në Kosovë. Me të arritur në pikë kalimin kufitar në Bërnjak, ata vendosnin letrat ngjitëse në tabelat e automjeteve të tyre. Thanë, se një vendim të njëjtë, për njohjen e targave të Serbisë, e presin edhe nga autoritetet e Kosovës.

“Është shumë mirë, të gjithë jemi të lumtur që presidenti ynë ka marrë një veprim të tillë human, për të gjithë rajonin dhe pres që edhe Kosova të veprojë njëjtë, nuk na duhen stikerat, duhet të jemi të lirë në shekullin 21”, tha një qytetar nga Serbia.

E një tjetër shtoi se është dashur të hiqeshin më herët.

“Ky është vetëm maltretim i popullit dhe asgjë tjetër. Kjo është dashur të hiqej moti”, tha Nexhat Husoviq.

Edhe një qytetar tjetër e ka mirëpritur këtë lëvizje.

“Shumë mirë, pa pritje pa të gjitha ato. Edhe prej Kosovës pres njëjtë, të punojnë, të jenë bashkë dhe të bashkëpunojnë si dikur”.

Nga Qeveria e Kosovës, thanë se me njohjen e targave RKS nga ana e Serbisë, procesi i mosnjohjes po shkon drejt fundit.

Përmes një reagimi në Facebook, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, tha se vendimi i Serbisë nuk paraqet konstruktivitet, por është maskim nga ana e saj.

“Fatkeqësisht, është dashur të kalojnë 18 muaj me tensione e barrikada nga ana e Serbisë, rezistencë dhe insistim në nivel teknik që stikersat të jenë zgjidhje permanente, si dhe tërheqje nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar, për të ardhur në përfundimin, që është i njëjtë me propozimin fillestar te Kosovës. Ky është tregues se të gjitha destabilizimet, që i ka bërë Serbia, kanë qenë të palogjikshme e të panevojshme, sepse prapë kemi arritur në situatën e njëjtë, ku targat janë konvertuar në ato ekzistuese legale dhe tashmë nga 1 janari, Serbia i njeh ato. Gjithashtu, duhet të theksojmë dhe rikujtojmë, se ky nuk është konstruktivitet nga ana e Serbisë, por është vetëm maskim që ata duan ta kamuflojnë pas dështimit në Banjskë dhe dështimit të narratives së tyre, të ushqyer për kaq shumë kohë në Bruksel”.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, pranimin e targave RKS ia ka atribuuar, siç ka thënë “këmbëngulësisë në atë që është e drejtë”. Ajo pret edhe njohjen e pasaportave dhe diplomave.

“Këmbëngulja jonë në atë që është e drejtë, në fund e detyroi Serbinë të zmbrapset e t’i pranojë targat RKS. Do të duhej që pas kësaj ajo t’i pranojë edhe pasaportat, diplomat e të gjitha dokumentet. Kjo është një e arritur e rëndësishme e shtetit dhe qeverisë tonë, për qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Simbolet e Serbisë dhe të Kosovës për targa automjetesh, tash e dy vjet janë mbuluar me letra ngjitëse të bardha, veprim për të cilën palët arritën marrëveshje në fund të shtatorit të vitit 2021./KOHA.net/