Ahmeti i bindur për fitoren e Frontit Europian: S’bëjmë hesap për qebapë, por si t’i bëjmë shqiptarët më të rëndësishëm

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij për fundvit u shpreh i bindur se i ashtuquajturi Front Europian do të triumfojë në zgjedhjet e ardhshme. Ahmeti tha se nuk janë të pakët ata që do t’i bashkëngjiten këtij fronti.

“Prandaj unë mendoj se ky front, edhe kemi investuar edhe kemi punuar. Ky front do të konsolidohet dhe so të shënojë fitoren e radhës të BDI-së bashkë me të gjithë ata që do t’i bashkohen këtij fronti, që nuk janë pak, po se sa janë? Le ta lë që të mërzitën ata të cilët nuk e dinë se sa fronti do të jetë i gjere”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti edhe në këtë fjalim theksoi se partitë politike shqiptare nuk kanë nevojë më tepër se dy parti.

“Ne nuk na duhen më shumë se 2 parti, pozitë dhe opozitë. Nuk na duhet se gdhihet në mëngjes dhe ka parë ëndërr, në mes të miletit, se atë mileti e do dhe i merr nja 5 veta dhe bën parti politike”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së thotë se kushdo që i bashkëngjitet këtij Fronti, nuk do të humbasë.

“Në frontin për europë nuk ka humbës, ka vetëm fitimtarë. Ne të BDI-së jemi të mëdhenj, të mëdhenjtë nuk bëjnë hesape si te Ura e Gurit, sa fitojnë për qebapë, por bëjnë llogari se si t’i bëjnë shqiptarët të rëndësishëm. Të rëndësishëm të bëjnë mandatet, të rëndësishëm të bën uniteti popullor, ne 20 vjet bëjmë përpjekje për një front të këtillë, sepse nuk jemi shumë, për t’u përçarë”, tha Ahmeti.