Dy të kërkuar për vrasje u ekstraduan në Kosovë – njëri nga Mali i Zi e tjetri nga Belgjika

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU) e Policisë së Kosovës, në kuadër të angazhimeve dhe detyrave ligjore të bashkëpunimit ndërkombëtar me shtetet tjera, gjatë periudhës së fundit në koordinim me organet e drejtësisë dhe mbështetur nga njësitë tjera policore, ka realizuar me sukses një numër të ekstradimeve, transfereve dhe deportimeve.

Sipas njoftimit për media, thuhet se në periudhën e fundit janë realizuar 12 bashkëpunime ndërkombëtare, ku ka pasur qytetarë të Kosovës të kërkuar nga drejtësia e vendit të cilët janë ekstraduar, por edhe shtetas të huaj në Kosovë që kanë qenë në kërkim nga shtete tjera, e të cilët po ashtu janë transferuar apo deportuar në vendet përkatëse.

“Policia e Kosovës përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), ka vazhduar në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me institucionet e zbatimit të ligjit të shteteve tjera dhe me organizatat ndërkombëtare policore dhe të sigurisë, me qëllim arrestimin e personave të kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar, ekstradimin apo sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë dhe një bashkëpunim dhe koordinim i tillë do të vazhdojë në frymën e partneritetit dhe besimit reciprok edhe në të ardhmen”, tha Policia në njoftim.

Në mesin e shtetasve të huaj që janë kapur në Kosovë ka pasur gjermanë, polakë e turq të cilët janë kërkuar për vepra të ndryshme nga vendet ku kanë jetuar.