Spasovski: MPB është e gatshme për mbajtjen e sigurt të Samitit të OSBE-së

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski sot e vizitoi Shtabin në kuadër të Aksionit operativ “OSBE 2023”, me qëllim të organizimit, udhëheqjes dhe koordinimit të masave dhe aktiviteteve për mbajtjen e sigurt dhe pa pengesa të Këshillit të 30-të Ministror të OSBE-së në Shkup, gjatë dy ditëve të ardhshme, në të cilin pjesëmarrës janë 74 delegacione të larta të huaja.

Siç kumtuan nga MPB-ja. kryeshefi i Departamentit për Mbrojtjen e Personaliteteve dhe Objekteve të Caktuara i cili është bartës i aktivitetit, Aleksandar Nacevski, e informoi ministrin Spasovski se shërbimet i kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe aktivitetet e nevojshme, një pjesë e delegacioneve tani më kanë ardhur, kurse gjendja është e rregullt. Ekipet e SPB Shkup, Departamentit për Operacione Speciale Policore, Departamentit për Çështje Kufitare, Departamentit për Asgjësimin e Krimit të Organizuar dhe serioz, janë në terren dhe veprojnë sipas planit.

Spasovski thekson se MPB-ja është e gatshme për mbajtjen e sigurt të Samitit të OSBE-së.

“Jam më se i sigurt se në mënyrën më të mirë të mundshme do të përfaqësojmë shërbimin dhe shtetin. Shpresa të mëdha janë vendosur në Maqedoninë e Veriut. Kjo është një sfidë serioze për shërbimin dhe shtetin. Është shumë e rëndësishme se si na perceptojnë në nivel të bashkësisë ndërkombëtare. Dje mora pjesë në konferencën në Bruksel, në Komisionin Evropian, ku vlerësimi për MPB-në është në superlativ për të gjitha arritjet, për profesionalizmin në polici, edhe atë para ministrave të tërë botës. Perceptimi tregon në atë se Republika e Maqedonisë së Veriut ka kredibilitet dhe kapacitet serioz, përveç të tjerave edhe për shkak të Samitit të OSBE-së në Shkup. Kjo në diplomaci interpretohet si fillim kur të gjithë janë të ulur në një tavolinë. Prandaj edhe përgjegjësia është më e madhe që gjithçka të kalojë në rregull. MPB është e përgatitur për sfidën”, tha ministri Spasovski.