Ahmeti: Shumë breza sakrificë për këtë ditë feste, valoftë gjithmonë flamuri Kuq e Zi! (VIDEO)

Nën organizimin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot u mbajt Akademi Solemne dedikuar 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ahmeti në Facebook teksa ka shpërndarë disa fotografi nga ngjarja, shkruan se festimi i 28 nëntorit nuk ka munguar as në vitet më të vështira të mbushura me sakrificë për popullin shqiptar, ndaj sot festohet në liri me nderimet më të larta.

Statusi i plotë:

Akademia e sotme solemne që na mblodhi për të kujtuar madhështinë e flamurit tonë kombëtar dhe rrugëtimin e tij ndër shekuj, më solli në mendje ato çaste kur në heshtje, pa këngë, duke u parë vetëm sy më sy, me zemrën e shpirtin plot krenari, festohej 28 nëntori në kazamatet e Jugosllavisë nga rinia studentore shqiptare, ligjeratat e Hamzë Jasharit që mblidhte fëmijët e Prekazit për t’ju treguar për këtë festë, sakrificën e Fazli Grajqevcit e Murat Mehmetit për këtë flamur.

Asgjë nuk mund të ketë peshë më të madhe se ato çaste, se sakrificat e brezave të tërë për flamurin e gjuhën, se valëvitja e flamurit kombëtar në duart e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

Faleminderit të gjithë për uratat!
Valoftë gjithmonë i lirë flamuri ynë kombëtar!🇦🇱