Rama: Drejtësia për 21 janarin mund të vonojë, por nuk ka për t’u harruar

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ndërsa ishte në Vlorë ku po zhvillohet Asambleja e zgjeruar i PS, foli sërish për hetimet e 21 janarit.

Rama u shpreh se drejtësia mund të vonojë dhe pak, por në fund nuk ka për të munguar.

“21 Janari nuk ka ndodhur dje, por përpara tanimë shumë vitesh dhe të gjithë ne e dimë se sa e rëndësishme është që të dijë 21 janari tjetër, dhe tjetri, dhe tjetri, dhe ata të cilët duhet të përgjigjen për atë krim të vazhdojnë të përqeshin, e të përqeshin viktimat e 21 Janarit.

Nëse sot ka një arsye për t’u ndjerë disi të lehtësuar në raport me 21 Janarin, për të cilin ne kemi pasur qysh në krye të herës barrën që t’i hapim rrugë drejtësisë është se sot edhe pse do të kërkojë ende kohë që ta shikojmë drejtësinë e bërë për 21 Janarin, e shikojmë që e para rruga e drejtësisë është hapur dhe e dyta, sot është e qartë që drejtësia për 21 Janarin mund të vonojë edhe ca, por nuk ka për të munguar.
Kush e ka lexuar vendimin për 21 Janarin, ka parë që Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka formuluar ekzaktësisht atë që unë dhe të tjerë kemi thënë qysh në krye të herës: 21 Janari është një krim shtetëror dhe për krimin shtetëror duhet të përgjigjen jo vetëm ata që tërhoqën këmbëzën e pushkës, por në radhë të parë ata që urdhëruan hapjen e zjarrit me plumba të vërtetë mbi njerëz të pafajshëm mes bulevardit”