Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, thotë se vendi ka informacione për përpjekjet e Rusisë për të nxitur tensione në rajon dhe për këtë po flet hapur. Në intervistë për Zërin e Amerikës, Petrovska theksoi rolin e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e NATO-s në rajon, ku merr pjesë në misione si në Kosovë poashtu edhe në BeH, në misionin e Bashkimit Evropian.
Përkujtoi se muajin e kaluar është marrë vendim në seancë të Qeverisë, me të cilin rritet pjesëmarrja e pjesëtarëve tanë në misionin e Kosovës.
“Në të vërtetë në këtë mënyrë, në pajtim me ato plane dhe në kuadër të dy misioneve jemi të gatshëm të marrim pjesë në veprimtaritë, të cilat janë në kompetencë të këtyre misioneve, e me qëllim kuptohet të kontribuojmë për garantimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”, u shpreh ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska.
RMV jep kontrubit në sigurinë rajonale
Në atë mënyrë, siç u shpreh ministrja, e konfirmojmë rolin e ri të Maqedonisë së Veriut nga vend shfrytëzues në vend kontribues për sigurinë rajonale.
“Mirë është që pjesëmarrja e jonë në këto misione është vetëm edhe një konfirmim për përparimin, të cilin Republika e Maqedonisë së Veriut e ka bërë, e ai është se nga vend, i cili në të kaluarën ishte i njohur si vend që i nevojitej ndihmë dhe përkrahje, në vend, që sot ofron dhe jep ndihmë dhe përkrahje për vendet, të cilave kjo u nevojitet”, theksoi Petrovska.
Veç kësaj ministrja Petrovska konfirmoi se stërvitja ushtarëve ukrainas në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar me sukses.
“Kjo stërvitje u dimensionua në pajtim me kërkesat e palës ukrainase, respektivisht për atë se çfarë lloji të nevojës kanë forcat e tyre të armatosura. Më gëzon fakti se stërvitja ka përfunduar me sukses. Mbi 100 ushtarë të forcave ukrainase janë stërvitur nga ana e forcave tona të armatosura, nga Armata jonë. Dera është e hapur edhe gjatë vitit 2024, posaçërisht në fillim të vitit, nëse kërkohet, nga ana jonë, kuptohet, do të ketë përgjigje pozitive”, u shpreh Petrovska.
Sipas Petrovskës, ky akt dëshmon përkrahjen ndaj Ukrainës dhe dënimin e pushtimit rus në Ukrainë.