Ndërron jetë Feim Elshani pasi shtëpia e tij u përfshi nga zjarri

Ka vdekur sot Feim Elshani nga fshati Nagac i Rahovecit. Një ditë më parë kishte pësuar plagë pasi shtëpia e tij u përfshi nga zjarri.

Fillimisht ai ishte dërguar në Spitalin e Prizrenit dhe më pastaj është transferuar në QKUK për trajtim, ku dhe ka vdekur. Dyshohet se zjarri në shtëpi ka shpërthyer dje pasdite si pasojë e bombolave të gazit.

Elshani kishte dëshmuar për krimet serbe para Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit në Hagë.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Postimi i plotë:

Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e njeriut të mirë e të respektuar Feim Elshani nga fshati Nagac, i cili vite më parë dëshmoi për krimet serbe para Milosheviqit në Hagë.

Baca Feim do të mbahet gjatë në mend për kontributin e dhënë në rrugën e lirisë, për vuajtjet e mëdha dhe pengesat e shumta që kaloi si dhe për vullnetin dhe energjinë e duhur që ai e dëshmoi deri më sot.

Baca Feim ishte ndër ata njerëz që nuk ankoheshin dhe nuk mallkonin për gjendjen e tyre sa herë që hasin në vështirësi e rreziqe. U bë pjesë e historisë dhe e lirisë së Kosovës, kur Millosheviqit i doli përballë në gjyqin kundër tij në Hagë dhe veç të tjerave, ia tregoi krimet e turpshme të armatës së tij që dogji e shkrumboi tri gra të vjetra e të sëmura, e atij iu kujtuan copat e predhave serbe që kishte gjetur e depozituar si prova krimi Feimi për Gjykatën e Hagës.

U kujtoftë e u nderoftë ndër mote jeta dhe vepra e tij atdhetare!

I paharruar qoftë kujtimi për Feim Elshanin!