Angellov: Xhamitë të ndërtuara në mënyrë strategjike në vende të dukshme na mirëpresin në hyrje të Shkupit, ndërsa atyre u pengon kryqi në Kodrën e Diellit

“Përmendorja e UÇK-së në Çair dhe xhamitë, të ndërtuara strategjikisht në vende të dukshme, na mirëpresin kur hyjmë në Shkup nga çdo anë, dhe kjo nuk e shqetëson askënd, por i shqetëson kryqi i ndërtuar në pronën kishtare të Popova Shapkës”, theksoi kryetari i partisë në pushtet “Dinjiteti”, Stojançe Angellov për TV24.

Ish-gjenerali i policisë maqedonase gjatë konfliktit të 2001 thotë se heqja e kryqit do të shkaktonte tensione të mëdha në vend.

“Unë reagova se pse u ndërtua kryqi në tokën e kishës. Ne në Kodrën e Diellit (Popova Shapka) kemi një xhami ilegale katër kate mbi tokë. Xhamitë dominuese, të ndërtuara në mënyrë strategjike në vende të dukshme na mirëpresin kur hyjmë në Shkup nga çdo anë. Dhe ne e pranojmë pa problem. Herët në mëngjes qytetarët e Shkupit dhe komunave të tjera zgjohen nga altoparlantët e xhamive. E kuptoj nevojën për të praktikuar ritet fetare, por a duhen lëshuar ato me kaq zë? Po qytetarët e krishterë? Dhe në gjithë këtë situatë problem ishte kryqi i vendosur në oborrin e kishës së Popova Shapkës”, theksoi Angellov.

Angelov ditë më parë përmes një postimi në facebook kishte shkruar se ai personalisht dhe disa shokë të tij të periudhës së vitit 2001 do të shkojnë për të mbrojtur kryqin.