Një 43-vjeçar i cili dyshohet për një varg veprash penale është ekstraduar nga Franca në Shqipëri pasi ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
Ai pritej në aeroportin e Rinasit nga policia nën masa të forta sigurie.
I prangosuri dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka vrarë një person në gusht të 2020-tës, në Shkodër.
Ai gjithashtu dyshohet se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, iu ka dhënë informacione mbi vendndodhjen e kundërshtarëve, për të organizon prita, me qëllim vrasjen e tyre.
I dyshuari u arrestua në Francë në muajin Shtator, si rezultat i bashkëpunimit mes policisë shqiptare dhe asaj franceze, të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore për vendndodhjen e tij, transmeton Klankosova.tv.
“Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, kryer në bashkëpunim”, bëri të ditur, raporton Klankosova.tv.