Lajçak: Takimi me opozitën ishte produktiv

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak i vlerësoi si produktive takimet me liderët e opozitës në Prishtinë. Lajçak tha se diskutimet me ta kanë qenë të mira për zhvillimet e fundit në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara.

“Sot pata një ditë shumë produktive në Kosovë me diskutime të mira për zhvillimet e fundit në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe rrugën përpara. Falënderoj të gjithë bashkëbiseduesit e mi për rolin dhe mbështetjen e tyre aktive”, deklaroi Mirosllav Lajçak, Përfaqësues i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Por liderët e opozitës në Prishtinë dolën me deklarata kundërthënëse. Përderisa përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkuan që të dinë më shumë hollësi rreth draft-statutit dhe u ankuan se po mbahen “në terr” për shkak të mosprezantimit të dokumentit, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës pretendoi se në takim opozitarëve u është prezantuar draft-statuti dhe të njëjtin e kanë lexuar në tërësi.

Ndërkaq kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen javën e ardhshme nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Data 16 nëntor përmendet si datë e mundshme për takimin mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.