Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka thënë se Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me presidenten.
Kupina, duke iu drejtuar Dedajt, tha se “Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj”, por siç u shpreh ai, “të hoqën shkeljet e tua”.
“Gjergj Dedaj paska zgjedhur Gjykatën Speciale për të përhapur gënjeshtra lidhur me Presidenten Osmani, duke e quajtur me të njëjtat fjalë sikurse Serbia. Presidentja Osmani nuk është “e ashtuquajtur”, siç e cilëson Serbia dhe ti Gjergj, por ka më së shumti legjitimitet në historinë e Kosovës. Ti e di këtë, por s’të pëlqen ky fakt. Prandaj sot e bëre atë që di më së miri: gënjeve”.
“Së pari, Presidentja Osmani nuk të ka hequr ty për ta emëruar bashkëshortin e saj. Të hoqën shkeljet e tua. Së dyti, bashkëshorti i saj as nuk ka qenë e as nuk është ambasador, ndaj ti jo që s’e di, por ama të pëlqen gënjeshtra si mjet viktimizimi. Ti je veç një përfitues nga gënjeshtra! Ne ende jemi në pritje të drejtësisë për kërcënimet me jetë që i ke bërë publikisht ndaj Presidentes dhe familjes së saj”, ka shkruar Kupina.