Palestina: Netanyahu u përgjigjet thirrjeve për të mbrojtur civilët duke bombarduar spitalet dhe shkollat
Ministria e Jashtme e Palestinës tha se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u përgjigjet “duke bombarduar spitalet dhe shkollat”, thirrjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve në Rripin e Gazës dhe dërgimin e karburantit në rajon, transmeton Anadolu.
Ministri publikoi një deklaratë me shkrim lidhur me vazhdimin e shënjestrimit nga ushtria izraelite të spitaleve dhe shkollave në të cilat janë strehuar mijëra të plagosur dhe civilë në Rripin e Gazës i cili ndodhet nën bombardime që nga 7 tetori e deri më tani.
Më tej thuhet se “vendosja e spitaleve dhe shkollave në objektiv nënkupton më shumë masakra masive, ndërprerje të punimeve për spitalet dhe ekipet e ambulancave dhe pengesë për shërbimet shëndetësore për banorët e Gazës”.
“Komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në mënyrë të hapur të bindë Netanyahu për dërgimin e karburantit në spitalet e Gazës”, thuhet në deklaratën ku theksohet se Netanyahu ka refuzuar edhe thirrjet për armëpushim që janë bërë për arsye humanitare.
“Përkundër këtyre thirrjeve Netanyahu u përgjigjet kërkesave ndërkombëtare duke bombarduar, spitalet, autokolonat e ambulancave dhe shkollat që strehojnë njerëzit e zhvendosur për shkak se shtëpitë e tyre janë bombarduar dhe shembur”, theksohet më tej.
Në deklaratë paralajmërohet se komuniteti ndërkombëtar ka mbetur spektator përballë këtyre skenave të krimit që përsëriten çdo ditë. “Ministria refuzon në mënyrë të fuqishme qëndrimin e disa vendeve të cilat ende përdorin justifikimin e vetëmbrojtjes përballë masakrave të tmerrshme të vazhdueshme kundër fëmijëve dhe grave si dhe shkatërrimit brutal të çdo gjëje në Rripin e Gazës”, thuhet në deklaratën e ministrisë.