Serbia rrit me 11 mln euro buxhetin për Kosovën

Ligjvënësit serbë i dhanë “dritën jeshile” ligjit për buxhetin e vitit 2024, i cili parashikohet të jetë rreth 17.5 miliardë euro.

Nga ky buxhet, për vitin e ardhshëm, qeveria serbe ka planifikuar të ndajë rreth 11 milionë euro më shumë për Kosovën nga sa kishte alokuar për 2023-shin.

Paratë shtesë do të shkojnë për mirëfunksionimin e institucioneve dhe organizatave, zyrën e qeverise dhe informimin e serbëve në Kosovë.

Ndarjet buxhetore të Beogradit për Kosovën kanë ardhur duke u rritur prej disa kohësh tashmë. Ekspertët paralajmërojnë se këto investime kanë qenë jotransparente me vite të tëra dhe se është pothuajse e pamundur të përcaktohet shpenzimi total për Kosovën.