“Vuçiq nuk e lë kurrë këtë komb”, protesta e Listës Serbe të cilës ia pa sherrin Stevanoviqi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka publikuar vendimin që kishte marrë për shkarkimin e Lilijana Stevanoviq nga pozita e kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, i vulosur tashmë me dekretin për shkarkim të nxjerrë nga Zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës.

Sipas vendimit, Stevanoviq u shkarkua për shkak të fjalimit që kishte mbajtur në protestën e thirrur nga Lista Serbe në sheshin e Mitrovicës së Veriut, pasi nisën dorëheqjet masive të serbëve në 4 komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicën e Veriut.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me datë 06 dhjetor 2022, ka pranuar nga kryetari i Gjykatës Supreme z. Enver Peci, kërkesën për fillimin e hetimit disiplinor për kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, znj. Ljiljana Stevanoviq, duke pretenduar se e njëjta ka marrë pjesë në protestën e organizuar nga subjekti politik “Lista Serbe”, me datë 6 nëntor 2022, të mbajtur në pjesën veriore të Mitrovicës. Sipas të gjeturave të Autoritetit Kompetent, subjekti i këtij hetimi disiplinor znj. Ljiljana Stevanoviq, në këtë protestë i është drejtuar pjesëmarrësve me një fjali rasti, që sipas tij fjalimi i mbajtur nga e njëjta nuk përkon me detyrën e gjyqtarit, i cili fjalim ka qenë pothuajse tërësisht politik, me konstatime të pa qena dhe te drejtuara kundër vetë sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës, në të cilin me vullnetin e saj është integruar” – thuhet në vendim.

Gjatë shqyrtimit të propozimit për shkarkim edhe vetë ish-kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë kishte pasur rastin t’i dëgjojë dhe t’iu përgjigjet fakteve të Panelit Hetimor.

“Me datë 18 maj 2023, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ka mbajtur seancë dëgjimore në të cilën ka prezantuar kryesuesi i panelit hetimor, gjyqtari Faton Ademi dhe subjekti i hetimit, znj.Ljiljana Stevanoviq. Kryesuesi i panelit hetimor në këtë seancë dëgjimore deklaroi se si panel kane arritur që t`i vërtetojnë faktet se organizimi i tubimit protestues me datë 6 nëntor 2022, ishte politik, deklarimet e pjesëmarrësve, duke përfshirë edhe subjektin e hetimit ishin politike, deklarimet përveç se kanë qenë politike ishin edhe kundër rendit juridik, sepse gjendja e prezantuar në këtë organizim ishte një gjendje jashtë çdo komenti real.
Në këtë tubim protestues ishte prezantuar gjendja jashtë çdo kontesti real, madje, ngjarja përmes së cilës ushtrohej presion për t’u larguar nga institucionet e Republikës së Kosovës, për të gjithë ata që nuk i kanë lëshuar vendet e punës, me pretendim se atyre u janë shkelur të drejtat si komunitet si dhe deklarimi vlerësonte Marrëveshjet e Brukselit dhe në raport me to është pasqyruar një gjendje ndryshe nga ajo që mbretëron në realitet. Më tutje, sipas vlerësimit të panelit deklarimi i subjektit hetues në këtë tubim ishte deklaratë e pastër politike dhe në vetvete bënte dallimin në kuptim të përkatësisë etnike. Në fund të deklarimit, kryesuesi i panelit hetimor i rekomandon Këshillit si organ kompetent që mbi bazën e të gjeturave në këtë raport dhe provave të bashkangjitura këtij raporti, të vlerësojë drejtë dhe t’i shqiptoj masë adekuate e cila do të vlerësohej se është në proporcion me shkeljen e evidentuar.”

Edhe në vendim është cituar një pjesë e fjalimit të ish- kryetares së Themelores në Mitrovicë ku masës më 6 nëntor u pati drejtuar me fjalët “Populli im, vëllezër dhe motra, rroftë Serbia, atdheu ynë, rroftë presidenti ynë Aleksandër Vuçiq, presim ndihmën prej tij;… Presidenti ynë Aleksandër Vuçiq, nuk e len kurrë këtë komb”.

Lilijana Stevanoviq më herët gjatë 2022-ës kishte marrë pjesë edhe në tubime tjera politike, përfshi atë në Beograd, takim të cilin e kishte thirrur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përveç, ish- kryetares, KGJK ka shkarkuar edhe kryesuesin e Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq.