Parlamenti Europian dënon agresionin serb, deputetët votuan pesë Propozim-Rezoluta

Në tekstin e rezolutës së miratuar nga Parlamenti Europian, sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë cilësohet “sulm terrorist”, përderisa Serbia kritikohet për disa veprime sikurse mosdistancimi i qartë nga sulmi, madhërimi i pjesëtarëve të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin dhe shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre terroristët e vrarë.

Rezoluta e Parlamentit Europian
“Dënojmë në mënyrën më të fuqishme të mundshme sulmin qyqar terrorist ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga ana e paramilitarëve mirë të organizuar serbë në Banjskë, në veri të Kosovës”

PE-ja, përmes kësaj rezolute, po ashtu dënon edhe rritjen e pranisë së ushtrisë serbe në afërsi të kufirit të Kosovës dhe kërkon nga Serbia që të përmbahet nga mbështetja e çfarëdo grupi terrorist në veri të Kosovës në të ardhmen. Kritikohet edhe ajo që cilësohet si gjuhë e ashpër nxitëse që përdoret në Serbi për Kosovën dhe shqiptarët, që sipas eurodeputetëve nxit tensionet.

Rezoluta e Parlamentit Europian
“Bëhet ftesë për autoritetet në Serbi dhe mediat që të përmbahen nga gjuha e urrejtjes ndaj Kosovës dhe nga përhapja e gënjeshtrave për ‘spastrim etnik’ në Kosovë, për çka nuk ka dëshmi”

Autoriteteve të Kosovës u kërkohet që të paraqesin të gjitha dëshmitë ndërsa Serbisë i kërkohet që të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe të sjellë para drejtësisë personat përgjegjës që ndodhen në Serbi, në përputhje me ligjin, përfshirë edhe ekstradimin në Kosovë.

Teksti i rezolutës po ashtu i bën ftesë Komisionit Evropian dhe Këshillit që të ndërmarrin masa ndaj Qeverisë së Serbisë nëse hetimet dëshmojnë për lidhje të drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë me sulmin në Banjskë, ose nëse autoritetet e Serbisë nuk do të tregojnë vullnet për bashkëpunim të plotë në procesin e hetimeve.