Scholz: Marrëveshja Kosovë -Serbi e ngjashme me eksperiencën e Gjermanisë kur ishte e ndarë, kemi vullnet për ta zgjidhur konfliktin

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz në një konferencë për media në Tiranë pas përfundimit të Samitit të Berlinit ku ka folur bashkë me Edi Ramën dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen ka folur në hollësi për marrëveshjen Kosovë -Serbi duke thënë se ajo bazohet në modelin e Gjermanisë kur ky shtet ishte i ndarë.

“Mendoj se deri tash janë arritur mjaftë shumë marrëveshje. Herën e fundit mendoj se ka pasur një marrëveshje e bazuar në kritere të bashkëpunimit themelor që është mjaftë e ngjashme në eksperiencën e Gjermanisë kur ishte e ndarë, por që ndihmoi që njerëzit, bizneset ta kenë jetën më të lehtë dhe për të gjitha gjërat që janë praktike për jetën e përditshme. Mendoj se këtë duhet të zgjedhim tani dhe shansi është aty tani që ta marrim këtë dhe ne po punojmë për këtë” ka theksuar Kancelari.

Ai ka folur edhe për implementimin e marrëveshjeve të arritura më herët duke e përmendur “Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës dhe bashkëpunimin e tyre dhe çështje të ngjashme”.
Tutje, Scholz ka theksuar se Berlini, Brukseli, Parisi, Roma dhe Uashingtoni kanë vullnet të fortë për ta zgjidhur konfliktin Kosovë -Serbi.

“Më lejoni t’ju siguroj se është një vullnet strikt i qeverisë time, BE’së i francezëve, italianëve, qeverisë së SHBA’së për ta zgjidhur këtë konflikt dhe për ta hapur rrugën për një të ardhme më të mirë për dy shtetet, të dyja si anëtarë të BE’së” ka thënë Scholz.