Arabia Saudite dhe Irani bënë thirrje për takim urgjent të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) për të diskutuar për situatën në Rripin e Gazës, i cili është nën bllokadën izraelite, transmeton Anadolu.
Ftesa e administratës saudite është publikuar në lajmet e kanalit Al-Ihbariyye, televizioni zyrtar i Arabisë Saudite.
Sipas Al-Ihbariyye, ftesë i ishte dërguar OBI-t për “takim të jashtëzakonshëm në nivelin e ministrave të Jashtëm” për të diskutuar mbi tensionet që lindën nga konflikti palestinezo-izraelit në Gaza.
Krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izzedin Kassam, nisi operacion gjithëpërfshirës të quajtur “Tufani i Aksa-së” të shtunën në mëngjes. Mijëra raketa u hodhën nga Gaza drejt Izraelit dhe grupet e armatosura hynë në vendbanimet në rajon.
Grupi tha se operacioni ishte në përgjigje të sulmeve izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe dhunës së shtuar nga kolonët izraelitë.
Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 704, përfshirë 143 fëmijë dhe 105 gra, tha sot Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza. Numri i palestinezëve të plagosur është rritur në rreth 4.000.
Sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, të paktën 900 izraelitë u vranë dhe më shumë se 2.600 u plagosën.