Nuk u ftua në darkën në Athinë, Rama: Nuk e marr personale por s’do veproja si Mitsotakis

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar çfarë do të bëhet me çështjen “Beleri” në një intervistë për median greke “Kathimerini”, me gazetarin Pavlos Papadhopulos dhe titull “Qeveria jonë u dha tituj pronësie minoritarëve”.

Pas kontaktit të drejtpërdrejtë të Ramës me gazetarin grek, i cili pak ditë më parë kishte bërë një analizë se përse Edi Rama duhet të lejojë të betohet si kryebashkiak Fredi Beleri, sot publikohet e plotë intervista që kanë realizuar në platformën Zoom, me qëndrimet e Ramës të drejtuar auditorit grek për çështjet aktuale e tepër kritike për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Ndër të tjera Rama shprehet se nuk e merr si personale mungesën e ftesës nga homologu Mitsotakis për darkën joformale të liderëve të Ballkanit para disa ditësh në Athinë, megjithëse shprehet se nuk do vepronte në të njëjtën mënyrë si kryeministri grek.

Sa i takon rastit “Beleri”, Rama shprehet se gjatë fushatës mund të ketë thënë disa gjëra për të cilat nuk ndihet krenar, duke iu referuar disa prej ofendimeve me të cilat i është drejtuar Belerit.

“Nëse kryebashkiaku i zgjedhur nuk shfaqet pas 90 ditësh të betohet, atëherë qeveria duhet ta çlirojë nga detyra dhe të vendosë një kryebashkiak teknik deri sa të realizohen zgjedhjet e reja, që do të shpallen nga presidenti. U kërkova avokatëve të mi të shqyrtojnë çështjen dhe nuk e di rezultatin. Por më duket se ky rast është i veçantë, nuk ka precedent”, shprehet Rama më tej sa i përket të ardhmes së bashkisë së Himarës.