“U përdhunova kur isha 5 vjeç”, lumë mesazhesh Ermal Metës pasi reagoi mbi ngjarjen e Palermos

Këngëtari me origjinë shqiptare Ermal Meta ka marrë një numër të konsiderueshëm mesazhesh nga viktima të ndryshme të dhunës seksuale, menjëherë pasi reagoi për ngjarjen e rëndë të Palermos, ku një vajzë 19-vjecare u përdhunua në grup nga 7 djem.

Artisti një ditë më parë mbajti një qëndrim për ngjarjen në rrjetet sociale duke u shprehur ashpër kundër përdhunuesve

“Aty në burg, nëse do të dënoheni, uroj që secili prej jush të përfundojë në qeli me 100 ujqër, që të kuptoni se çfarë është përdhunimi”, shkroi Meta në postimin e tij.

Pas kësaj në drejtim të tij kanë vërshuar mesazhet që tregojnë se janë viktima të përdhunimit dhe këngëtari i ndau me ndjekësit e tij, duke shkruar: “E di që kam postuar gjëra të trishta, por është një e keqe e nevojshme, e vërtetë. Janë njerëz që më kanë shkruar, njerëz të vërtetë, nga një vend i vërtetë, me barrë të vërtetë mbi supe, të cilën e mbajnë me vete në çdo moment të jetës së tyre. Mundohuni t’i lexoni. Kur të keni mbaruar së indinjuari me fjalët e mia, përpiquni të viheni në vendin e tyre. Kush e di nëse do të keni të njëjtin pasion“.

Historitë e ndara nga Ermal Meta janë të gjitha anonime, por në njërën prej tyre thuhet: “I dashur Ermal, më përdhunuan më 26 dhjetor 2000. Pas 23 vitesh ende nuk mund t’ia rrëfej burrit, më vjen turp”.

Ndërsa, një grua e përdhunuar nga xhaxhai i saj në moshën 5-vjeçare tha se “ata që flasin le të vijojnë ta bëjnë këtë, por duhet të dinë se nuk është e lehtë të jetosh me një traumë të tillë, të lahesh derisa të të dalë gjaku nga lëkura, sepse ndihesh pis”.

Më pas është edhe dëshmia mallëngjyese e një gruaje, e cila tregon për shoqen e saj, e cila, pavarësisht bashkëshortit dhe vajzës së dashur, nuk mundi të duronte më dhimbjen e madhe që la përdhunimi dhe një mëngjes u vetëvar.

Mes komenteve të postimit është edhe ai i aktores Elena Sofia Riçi, e cila shkruan: “Shpirti yt i bukur nuk keqkuptohet. Në moshën 12-vjeçare u përpoqa të mbrohesha me një vizatim që kisha bërë, një fletë me ngjyra, nga abuzimi i një zotërie shumë të madh dhe shumë të vlerësuar, i cili e njihte mirë familjen time. Unë munda të flas për këtë vetëm disa vite më parë. Shenja që mbeten përgjithmonë“.

Ermal Meta pasi publikoi shumë prej mesazheve, shkroi: “Më duket e qartë se duhen ligje të rrepta për t’i bërë gratë që vuajnë nga abuzimi dhe ngacmimi të ndihen të afta të raportojnë pa asnjë hezitim, pa mosbesim dhe pa frikë. Nëse doni të më kryqëzoni për këtë, mos u lodhni të brohorisni se ngjitem vetë sipër në kryq”.