Dyfishohen kalimet e paligjshme në Mesdheun Qëndror

Frontex: 89 mijë emigrantë erdhën në Europë, në shtatë muajt e parë të 2023, një rritje me gati 13%

89 mijë emigrantë u rregjistruan në shtatë muajt e parë të vitit 2023. Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex në një raport tregon se ardhja e emigrantëve në Mesdheun Qëndror është rritur me 13 % duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

Vetëm në Korrik, 42.700 njerëz kaluan kufirin në mënyrë të jashtëligjshme, 19 përqind më shumë se Korrik i 2022-it.

Megjithatë, Frontex raportoi se ka një rënie të kalimeve përmes Ballkanit Perëndimor, që është rruga e dytë më e përdorur nga emigrantët. Më shumë se 52.200 emigrantë tentuan të futen në BE në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke shënuar një rënie me 26%, kryesisht për shkak të politikave më të ashpra për vizat.

Rreth 2800 oficerë dhe stafi i Frontex janë përfshirë në dhjetra operacione të ndërmarra në shtete të ndryshme për të parandaluar këtë fenomen. Sipas të dhënave, numri më i madh i emigrantëve që hynë përmes Mesdheut Qëndror ishin nga Libia dhe Tunizia dhe ndjekin rrugën përmes Sicilisë dhe Maltës.

Mbërritja e mijëra emigrantëve në brigjet italiane ka krijuar tensione politike dhe i ka bërë liderët e BE-së të kërkojnë arritjen e një marrëveshjeje me Tunizinë, për t’i parandaluar njerëzit të hyjnë drejt Evropës. Emigrantët pritet të vazhdojnë ta përdorin këtë rrugë edhe në muajt e ardhshëm, sipas Frontex, pasi trafikantët ofrojnë çmime më të ulëta për kalimin e emigrantëve përmes Mesdheut, për shkak të konkurrencës së fortë mes grupeve kriminale.

Por rruga e tyre drejt Europës kalon mes rrezikshmërive të mëdha. Dhjetra anije janë fundosur, ku vetëm para një jave humbën jetën 41 emigrantë pranë brigjeve të Lampeduzës.