Rrëzohet nga dy metra në Itali, 57-vjeçari nga Maqedonia lufton për jetën

Rrëzohet nga dy metra në Itali, 57-vjeçari nga Maqedonia lufton për jetën
Një shtetas 57-vjeçar i Maqedonisë së Veriut është lënduar rëndë në një aksident në një kantier ndërtimi në qytetin Sacile, në provincën e Pordenones, në Itali.

Aksidenti ka ndodhur të hënën, më 16 nëntor, në rrugën “Via Ettoreo”, gjatë kryerjes së punimeve ndërtimore.

Sipas mediave italiane, punëtori ka rënë nga një shkallë, nga lartësia prej rreth dy metrash, në momentin kur po përpiqej të ngjitej në një strehë për të larguar një dru të prerë, i cili kishte mbetur i bllokuar në çati.

Gjatë rënies, ai ka goditur kokën dhe ka pësuar lëndime të rënda. Kolegët e tij kanë kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur ekipet emergjente dhe një helikopter mjekësor.

I lënduari është transportuar në spitalin “Santa Maria della Misericordia” në Udine, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale. Sipas gazetës “Messaggero Veneto”, ai është shtruar në kujdesin intensiv, në gjendje të rëndë dhe me prognozë të pasigurt.

Ndërkaq, televizioni italian RAI ka raportuar se 57-vjeçari nuk ndodhej në rrezik për jetën, megjithëse gjendja e tij shëndetësore ishte serioze.

Pas aksidentit kanë ndërhyrë edhe karabinierët dhe inspektorët e shërbimit kompetent shëndetësor, të cilët po hetojnë rrethanat e ngjarjes dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë në punë.

Lajmi është raportuar nga agjencia ANSA, televizioni RAI dhe mediat rajonale italiane.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo