Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, është shfaqur më 2 gusht në Banja Llukë të Bosnje-Hercegovinës, afër rrugës kryesore që të çon në Prijedor, qytet ku janë kryer disa prej krimeve më të rënda gjatë luftës kundër banorëve joserbë.
Grafiti i njëjtë është parë paraprakisht në disa qytete në Serbi.
Ai është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.
Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije.
Në shkurt, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni Krokodili, e kanë ngjyrosur me të kuqe këtë grafit në Sheshin Slavija të Beogradit.
Mirëpo, ai është rikrijuar në atë vend, dhe disa vende tjera në Beograd.Prej fundit të vitit 2021, kryeqyteti i Serbisë është vërshuar nga grafite të Ratko Mlladiqit, të dënuarit nga Haga për krime lufte në Bosnje-Hercegovinë.
Grafiti në Banja Llukë është shfaqur në prag të një vizite të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Banja Llukë.
Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka bërë të ditur se ai dhe Vuçiqi do të shkojnë të premten në Prijedor për të shënuar “Ditën e Viktimave Serbe”, në prezencë të udhëheqësisë më të lartë të këtij entiteti, Serbisë dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Dodik ka thënë se Prijedori është zgjedhur si vend përkujtimor “sepse njerëzit e Prijedorit kanë qenë të parët që i kanë mirëpritur refugjatët serbë” prej të ashtuquajturës Republika e Krajinës Serbe.
“Ne jemi të gatshëm të dëgjojmë dhe t’i kuptojmë vuajtjet e boshnjakëve dhe të secilit, por edhe u kërkojmë atyre që të dëgjojnë se çfarë kanë për të thënë serbët”, ka thënë Vuçiq para vizitës. /REL