Autori i ngjarjes së mbrëmshme në fshatin Zëmblak të Maliqit, Gjergj Mullalli është gjetur i vdekur nga policia.
Dyshohet se 55-vjeçari i cili vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, Luiza Mullalli në banesë dhe më pas e hodhi në gropën e ujërave të zeza është vetëvrarë me të njëjtën armë, teksa ishte në arrati.
Forca të shumta policie janë në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi.
Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë.
Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të Policisë për t’u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje. /abcnews.al