Përleshja në Kuvend, shishe e grushte ndërmjet PDK-së dhe VV-së (VIDEO)

Sot derisa ishte duke u zhvilluar një seancë plenare në Kuvendin e Kosovës, një përleshje fizike ka ndodhur ndërmjet disa deputëtëve të PDK-së me përfaqësues të pushtetit.

Gjithçka nisi me deputetin e PDK-së, Mërgim Lushtakun, i cili nga ulësja e tij u nis për ta lagur me ujë kryeministrin Albin Kurti, derisa ky i fundit ishte duke mbajtur një fjalim në foltore, shkruan Klan Kosova.

Këtë tendencë të Lushtakut, e vëren ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe niset për t’i bllokuar me follderin e tij stërpikat e ujit që dalin na shishja e Lushtakut në drejtim të Kurtit.

Pastaj Lushtaku kthehet në drejtim të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për ta lagur edhe atë me ujë dhe pastaj e hedh shishen në drejtim të tij.

Si përgjigje, Bislimi e kapi një shishe që ishte mbi tryezën e tij dhe e goditi me të Lushtakun në fytyrë. Ky i fundit niset që ta sulmojë Bislimin, ku më pas bllokohet nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Aty ndërhynë edhe deputeti tjetër i PDK-së, Hajdar Beqa dhe fillon të sjellë me grushte në drejtim të ministrit Murati dhe të tjerëve.

Pas përshkallëzimit të situatës, ndërhyjnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe së bashku me të pranishmit e tjerë që ishin në sallë, arrijnë që t’i ndajnë palët dhe ta largojnë kryeministrin Kurti.