Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se nuk beson që nuk ka nevojë për dërgim shtesë të trupave në Kosovë, por atyre 700 të NATO-s.
“Ka forca atje si pjesë e misionit të NATO-s, ku janë dërguar 700. Nuk besoj se do të ketë nevojë për dërgim tjetër trupash”, është përgjigjur Blinken në konferencën e mbajtur në Oslo të Norvegjisë ku janë mbledhur ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, njofton KlanKosova.tv.
Ai ka ftuar Kosovën dhe Serbisë që të punojnë në qetësim të situatës.
“Më e rëndësishmja është që të dyja palët të shtensionohen dhe të ndalojnë së ndërmarri veprime të njëanshme. Ato duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Kjo është platforma dhe ftojmë të dyja palët që në mënyrë urgjente ta bëjnë këtë”.
14:48 – Veriu aktivizon deputetët, nesër mbahet seancë
Situata në veriun e Kosovës i ka aktivizuar deputetët.
Nesër do të mbahet seancë ku e vetmja pikë e rendit të ditës do të jetë diskutimi për situatën atje.
Këtë e ka konfirmuar për Klankosova.tv shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila.
“Po është caktuar për nesër në ora 10:00”, tha Kusari-Lila për Klankosova.tv
Që nga e premtja në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan serbët i kanë filluar protestat.
Qëllimi i këtyre protestave është pengimi i kryetarëve të zgjedhur që të ushtrojnë detyrat e tyre.
Të hënën situata ishte mjaft e tensionuar, ku pati edhe përleshje në Zveçan mes protestuesve dhe KFOR-it.
Si pasojë 30 ushtarë të Misionit të NATO-s në Kosovë u lënduan, tre nga ta ishin plagosur me armë.
Dy serbë u arrestuan për sulm, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Derisa u protestua edhe ditëve të tjera, ku pati një numër të konsiderueshëm të sulmeve ndaj veturave të mediave dhe gazetarëve që po raportonin nga atje.
E sot në Mitrovicën e veriut, u sulmuan dy shqiptarë derisa po ecnin në sheshin e këtij qyteti./Klankosova.tv
14:55 – Policia: Sulmi ndaj dy shqiptarëve u krye nga një grup kriminelësh të maskuar
Dy shqiptarë janë sulmuar sot gjatë ditës në Mitrovicën e veriut.
Sipas policisë ata janë sulmuar nga një grup kriminelësh të cilët ishin të maskuar.
Personat e dyshuar kanë ikur në drejtime të ndryshme.
Ata janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Aktet e tilla kriminale, nuk i shërbejnë sigurisë dhe qetësisë publike, iu shërbejnë vetëm individëve apo grupeve të caktuara kriminale, andaj Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja policore, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe ofrimit të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve në nivel vendi”, thuhet në njoftimin e policisë përcjell Klankosova.tv
______________________________________________________________________________________________________
14:25 – Spitali i Mitrovicës jep detaje për gjendjen e dy shqiptarëve në veri
Dy shqiptarë janë sulmuar në Mitrovicën e veriut.
Ata ishin sulmuar derisa ishin duke ecur në sheshin e qytetit.
Lidhur me gjendjen e tyre detaje për Klan Kosova kanë dhënë nga Spitali i Mitrovicës.
Sipas tyre njëri ka pësuar plagë në kokë derisa tjetri vetëm lëndime të lehta.
Të dy pas trajtimit janë dërguar në stacion për intervistim në stacion për intervistim.
Mësohet se personat e sulmuar janë rreth moshës 20-vjeçare.
Gazetarja e Klan Kosovës Rina Mujku, gjendet atje dhe po e përcjell nga afër situatën atje.
______________________________________________________________________________________________________
13:54 – Kurti: Nuk pranojmë që kryetarët t’i ushtrojnë detyrat në zyra paralele
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryetarët e zgjedhur atje janë legal dhe mandatin duhet të ushtrojnë në bazë të kompetencave të tyre.
“Nuk duhet të ketë paralelizma në veri, nuk pranojmë që kryetarët të ushtrojnë detyrat në zyra paralele”, ka thënë ai.
Ndërsa lidhur me raportet me ShBA-të, Kurti ka thënë se ato janë të shkëlqyeshme mirëpo ka raste kur dallojnë në qasje, e cila sipas tij nuk është thelbësore.
13:56 – Sveçla: Serbët e Kosovës po detyrohen të marrin pjesë në protesta
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se serbët e Kosovë po detyrohen nga Lista Serbe që të marrin pjesë në protesta.
Sveçla tha se sot ata janë detyruar të nënshkruajnë në lista pjesëmarrjen e tyre në protestë.
“Haptazi ky është një mjet për të ndërmarrë veprime të mëvonshme ndaj atyre që nuk kanë qenë prezent në protestë. Kjo mund të nënkuptojë kërcënime dhe dhunë fizike ndaj tyre dhe familjarëve, largime nga puna si dhe dëmtim të pronave të atyre personave”, tha Sveçla.
I pari i MPB-së shtoi se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë qëndrojnë të angazhuara e përkushtuara maksimalisht në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim.
“Dënojmë ashpër veprimet e vazhdueshme të Listës Serbe dhe bandave kriminale të drejtuara nga ta, me porosi të Beogradit. Këto taktika duhet të ndalen që qytetarët serb të Kosovës të jetojnë pa presione e kërcënime”, shtoi ai.
_________________________________________________________________________________________________
13:30 – Sulmohen dy shqiptarë në veri të Mitrovicës
Dy shqiptarë janë sulmuar fizikisht në Mitrovicën e Veriut.
Ata janë sulmuar derisa po ecnin në sheshin e qytetit.
Viktimat kanë pësuar lëndime të lehta trupore.
Gazetarja e Klan Kosovës Rina Mujku, gjendet atje dhe po i përcjell nga afër zhvillimet.
_________________________________________________________________________________________________
12:56 – Protestuesi serb në Zveçan pyet KFOR-in për flamurin e OKB-së
Protestuesit serbë në Komunën e Zveçanit janë mbledhur edhe sot, dhe po qëndrojnë pranë barrikadave me gjemba, të vendosura ditë më parë nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë.
Megjithatë në hyrje të qytetit të Mitrovicës, për dallim prej ditëve të tjera, kishte prezencë të ushtarëve të KFOR-it, transmeton klankosova.tv.
Me të hyrë në patrullim, KFOR-i amerikan, është interesuar për gazetarët prezentë në atë zonë, nëse kanë ndonjë problem.
Ndërkohë një protestues serb, iu drejtohet atyre me pyetjen se ‘Ku është flamuri i Kombeve të Bashkuara?’.
”Ekziston një mision i Kombeve të Bashkuara, në të cilin ju ishit pjesë e tij. Tani, ju jeni këtu. Unë ju pyes ju se ku është flamuri i Kombeve të Bashkuara? Ku është flamuri, po të pyes ty, ku është flamuri i Kombeve të Bashkuara? Është dita e pestë, dhe nuk ka flamur të Kombeve të Bashkuara”, dëgjohet t’i thotë ai ndër tjera, ushtarit të KFOR-it.
Derisa sot, në Zveçan deri më tani, po shënohet situatë kryesisht e qetë.
11:10 – Kancelari i Austrisë për situatën në veri: Palët po bëjnë hapa që e pamundësojnë de-eskalimin e situatës
Kancelari i Austrisë Karl Nehammer, ka folur rreth situatës në veriun e Kosovës.
Nehammer tha se palët po bëjnë hapa që e pamundësojnë de-eskalimin e situatës.
“Kur jemi tek kjo situatë. Institucionet kosovare nuk e kanë ndërmarrë asnjë hap për ta de-eskaluar situatën. Është shumë e rëndësishme që dhuna të ndalet. Dhuna është çdoherë e papranueshme”, tha ai në adresimin para mediave në prag të nisjes së Samitit të Liderëve Evropianë në Moldavi.
Kancelari austriak theksoi Serbia është një vend shumë i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor.
“Ka ndikim të madh në de-eskalimin e konflikteve. Por, për të de-eskaluar duhen dy vende. Duhet edhe Kosova”, tha shefi i qeverisë austriake përcjell Klankosova.tv
______________________________________________________________________________________________________
10:55 – Osmani nga Moldavia: Nuk kemi plan për takim me presidentin e Serbisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga Samiti i Liderëve Evropianë në Moldavi, ka thënë se nuk ka plan për takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ajo u shpreh se i takon shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, që t’i caktojë takimet për dialogun Kosovë-Serbi.
“Nuk kemi plan që të takohem me presidentin e Serbisë, siç e dini, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë organizohet në Bruksel, i takon z.Borrell që të përcaktojë datën kur ai mendon se është e domossdoshme që të bëjë takime të tilla”, tha ajo.
Tutje, Osmani tha që shpreson se liderët evropian të kërkojnë nga Vuçiqi që të zbatojë premtimet e tij, përcjell Klankosova.tv.
“Ne jemi në favor të dialogut, mirëpo insistojmë që ato për të cilat dakordohemi, pastaj edhe të zbatohen. Ju e dini që Vuçiq vazhdimisht ka thënë që nuk do të zbatojë atë për të të cilën është dakorduar në Bruksel dhe në Ohër dhe nga ai shpresoj që të gjithë liderët evropian të kërkojnë që të zbatojë premtimet e tij, e jo të bëjë të kundërtën e asaj që thotë, asaj që nënshkruan dhe asaj për të cilën dakordohet”, u shpreh tutje ajo.
10:42 – Osmani për veriun: Na duhet ndihma e aleatëve për t’i luftuar bandat kriminale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po merr pjesë në Samitin e Liderëve Evropianë në Moldavi.
Ajo nga atje është shprehur se duhet kërkuar nga Serbia që t’i ndalë veprimet destabilizuese dhe bandat kriminale.
“Patjetër që është me rëndësi që nga Serbia të kërkohet në radhë të parë t’i ndalë veprimet destabilizuese dhe bandat kriminale, sepse këto janë grupe që janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara edhe në listën e zezë të Mbretërisë së Bashkuar, por edhe të disa shteve të tjera dhe janë kualifikuar si grupe trans-nacionale të krimit të organizuar, që ndër të tjera, po terrorizojnë qytetarët çdo ditë”, është shprehur ajo.
Osmani u shpreh se na duhet ndihma e aleatëve që, siç tha ajo, të jemi më të fokusuar dhe më të suksesshëm në luftimin e këtyre grupeve, përcjell Klankosova.tv.
“Prandaj, neve duhet ndihma e miqve tanë, ndihma e aleatëve që të jemi më të fokusuar dhe më të suksesshëm në luftimin e këtyre grupeve, por urdhri ndaj tyre vjen Vuçiqi, dihet shumë mirë kush i nxit ato që të përdorin dhunë në Kosovë, në veçanti në veri të Kosovës, pra presioni duhet të jetë tek Beogradi, në mënyrë që ata ta ndalin dhunën dhe kur nuk ka dhunë, natyrisht që çdo zgjidhje përpara mundet më shumë edhe të fokusohet edhe në implementimin e Marrëveshjes së Brukselit”, u shpreh tutje Osmani.
10:39 – Vuçiq pyetet nëse do takohet me Osmanin: Nuk e di se kush vjen nga Prishtina, me Scholz e Macron po
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka mohuar e as pohuar, nëse do të ketë sot një takim edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Samitit të liderëve Evropianë në Moldavi.
Në pyetjen për këtë çështje, ai u shpreh: ‘Nuk e di se kush vjen nga Prishtina, por unë do takohem me [Olaf] Scholz dhe [Emmanuel] Macron, përfundimisht. Ky do të jetë një diskutim vërtetë i rëndësishëm për ne’, transmeton klankosova.tv.
Kujtojmë që edhe shefi i BE-së, Josep Borrell, konfirmoi se është në pritje të takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
10:27 – Kovaçevski: Paqja në Kosovë, është paqe për Ballkanin Perëndimor
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.
“Paqja në Kosovë, është paqe për Ballkanin Perëndimor. Koha për konflikte është larg nesh. Implementimi I të gjitha marrëveshjeve të arritura dhe aneksit duhet të jetë imperativ për të dyja vendet”, ka thënë Kovaçesvki në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që mbahet në Moldavi, njofton KlanKosova.tv.
“Ftojmë të dyja palët për shtensionim dhe vazhdim të komunikimit, me ndihmën e ShBA-së dhe BE-së”.
Ai më tej ka thënë se nga ky forum presin që të dilet me konkluzione pozitive.
Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, ka folur sërish për tensionet në veri të Kosovës.
Ai ka bërë të ditur se është në pritje të një takimi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, meqë siç tha me palën kosovare takimi u zhvillua dje.
”Jam në pritje të një takimi me [Aleksandër] Vuçiqin”. Duhet të insistojmë se dhuna nuk është rruga, dhuna duhet të ndëshkohet dhe kryesit e kësaj dhune duhet të vihen para drejtësisë. Duhet të shmanget çfarëdo lloj përshkallëzimi dhe lëvizjet e pakoordinuara”.
Këto komente Borrell i dha këtë mëngjes, gjatë hyrjes në Samitin e liderëve Evropianë që do të mbahet në Kishinau të Moldavisë.
Borrell mes tjerash pranoi se Bashkimi Evropian duhet të punojë për të stabilizuar kontinentin.
”Ne kemi shumë probleme në Ballkan”, u shpreh mes tjerash ai.
07:45 – Serbët edhe sot protestojnë në veri
Në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, do të vazhdojë protesta e serbëve.
Gjatë së mërkures situata ishte kryesisht e qetë, derisa nuk kanë munguar sulmet ndaj gazetarëve të cilët po raportonin nga atje.
Sulm pati edhe ndaj policisë, ku pati edhe dëmtim të veturave të tyre, e po ashtu gjatë ditës së djeshme u lëndua edhe një zyrtar policor.
Protestat e serbëve kanë nisur nga e premtja e 26 majit, ku kryetarët e zgjedhur kishin mësyer që të hynin në zyrat e tyre për t’ia filluar punës.
Por, kjo ka qenë e pamundur për shkak se një numër serbëve u mblodhën tek objektet komunale, për t’i penguar ata.
Situata më e rëndë u paraqit të hënën ku pati përleshje mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it.
Si pasojë 30 ushtarë u lënduan, tre prej të cilëve u plagosën me armë zjarri.
Dy protestues serbë u arrestuan, derisa për ta gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë po kujdesen KFOR-i dhe policia e Kosovës./Klankosova.tv