Kancelari gjerman Scholz uron presidentin Erdoğan për fitoren në zgjedhje

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka uruar presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili u rizgjodh në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, transmeton Anadolu.

“Gjermania dhe Türkiye janë partnerë dhe aleatë të ngushtë. Ne gjithashtu kemi lidhje të forta sociale dhe ekonomike. E përgëzoj presidentin Erdoğan për rizgjedhjen e tij. Tani duam t’i çojmë përpara çështjet tona të përbashkëta me një vrull të ri”, shkroi Scholz në Twitter.

Sipas rezultateve preliminare, njoftoi kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiye-s (YSK), Ahmet Yener, presidenti aktual Erdoğan fitoi garën zgjedhore me 52,14 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, grumbulloi 47,86 për qind të votave. Yener shtoi se deri më tani në mbarë vendin janë hapur 99,43 për qind e kutive të votimit.

Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.

Më 14 maj, në raundin e parë, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave, duke çuar zgjedhjet në raundin e dytë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.