Ka ndërruar jetë gjyshja e sopranos së mirënjohur kosovare, Elbenita Kajtazit.
Kjo e fundit përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka kujtuar kohën kur gjyshja e saj i ka blerë fustan me paratë e pensionit, njofton Klan Kosova.
“Kur kam qenë në shkollën e mesme të muzikës ‘Tefta Tashko’ u përzgjodha që të dal si soliste për herë të parë në shtëpinë e kulturës, isha në vitin e parë të studimeve”.
“Vrapova për në shtëpi plot entuziazëm e lumturi, kur u futa brenda duke kërcyer nga gëzimi thash nënës time , ‘nënë na duhet një fustan sepse unë do dal si soliste në koncertin e shkollës’, nëna më shikoi dhe më tha ‘jam shumë e lumtur për ty por fustan nuk blejmë dot për momentin sepse nuk e kemi mundësinë’. Unë gjithmonë e kam mirëkuptuar gjendjen tonë financiare prandaj kurrë nuk kam protestuar ose kërkuar më shumë sesa e kam ditur se prindërit e mi do të jenë në gjendje të ofrojnë, por atë ditë u mërzita shumë dhe fillova të qaj”.
Tutje, Kajtazi tregon se pastaj është futur brenda Nana Abide, gjyshja e saj nga ana e nënës e cila është afruar dhe e ka pyetur se çfarë ka.
“Ajo sapo ishte kthyer nga qyteti ku kishte marrë pensionin e pleqërisë, i nxori ato para nga xhepi dhe ja zgjati nënës time në dorë ‘këto i kam’ i tha ‘këto po t’i jap. Shko blija çikës fustanin edhe trego kur është koncerti shkojmë bashkë e shohim’”.
“Kjo ishte gjyshja ime, heroina ima e cila më ka përkrahur në çdo hap të jetës , nëna Abide e imja e cila na priti gjithmonë me zemër të madhe, nëna Abide e imja e cila na dha vetëm dashuri e sytë e saj rrezatuan vetëm lumturi edhe pse nuk kishte jetë aspak të lehtë”.