Papa Françesku do të niset të premten në një vizitë tre-ditore në Hungari, ku lufta në Ukrainë, migrimi dhe rrënjët e krishtera të Europës pritet të jenë në krye të agjendës në fjalimet e tij publike dhe bisedimet private me kryeministrin nacionalist Viktor Orbán.
Reuters raporton se ndërsa qëllimi i tij kryesor është takimi me katolikët hungarezë, Françesku tha të dielën se vizita e tij ndikohet nga ngjarjet aktuale.
“Do të jetë gjithashtu një udhëtim në qendrën e Europës, e cila vazhdon të goditet nga lufta,”tha ai.
Orbán ka thënë se Hungaria dhe Vatikani janë dy shtetet e vetme europiane që mund të përshkruhen si “pro paqes” në lidhje me Ukrainën.
Si Orbán 59, ashtu edhe Papa, 86 vjeç, kanë bërë thirrje për një armëpushim dhe negociata për t’i dhënë fund luftës dhe Françesku i ka kërkuar Ukrainës që të jetë e hapur për dialog me Rusinë “agresore”, diçka që Ukraina deri tani e ka përjashtuar.
Hungaria, e cila mbështet Ukrainën sovrane, por ka ende lidhje të forta ekonomike me Rusinë, ka refuzuar të dërgojë armë në Ukrainë.