Pritja merr fund, s’ka më viza për Kosovën

13:25 – Liberalizimi i vizave, Abdixhiku: Ditë e paharrueshme për Kosovën

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka uruar vendimin e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Abdixhiku, në një shkrim në Twitter, tha se kjo është një ditë e paharrueshme për vendin, teksa shtoi se pret me padurim një të ardhme brenda familjes evropiane.

“Një ditë e paharrueshme për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj pasi liberalizimi i shumëpritur i vizave miratohet përfundimisht nga Parlamenti Evropian. Një trajtim i padrejtë më në fund e sheh fundin. Ne e festojmë këtë moment historik dhe presim me padurim një të ardhme brenda familjes evropiane”, ka shkruar Abdixhiku në Twitter.

13:17 – Krasniqi për liberalizimin e vizave: Edhe pse shumë i vonuar, është më se i merituar e i mirëseardhur

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka uruar qytetarët e vendit për liberalizimin e vizave nga Parlamenti Evropian.

Krasniqi, në një shkrim në Facebook, tha se pavarësisht që ishte vendim i vonuar, prapëseprapë është i merituar e i mirëseardhur.

Ai tha se shpreson që ky vendim të hyjë sa më shpejt në fuqi.

Vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, edhe pse shumë i vonuar, është më se i merituar e i mirëseardhur. Prandaj, para se gjithash, sot urimet i meritojnë qytetarët tanë. Shpresoj që ky vendim të hyjë në fuqi sa më parë.

13:13 – Osmani: Liberalizimi i vizave për Kosovën, fitore për demokracinë

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i është gëzuar vendimit final për liberalizmin e vizave për Kosovën.

Osmani tha se kjo nuk është vetëm fitore për vendin tonë, por është fitore për demokracinë.

“Ky vendim është meritë e popullit të Kosovës, vendosmërisë së pashembullt të treguar përgjatë viteve, pavarësisht vonesave dhe padrejtësive të ndryshme”, tha Osmani.

E para e vendit shtoi se qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me të tjerët.

“Tanimë, lëvizja në shtetet evropiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha”, tha ai.

______________________________________________________________________________________________________

13:04 – Liberalizimi i vizave, Pacolli: Një ditë historike për vendin tonë, edhe pse e vonuar

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka uruar liberalizimin e vizave për Kosovën, e cila do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Pacolli, përmes një shkrimi në Facebook, tha se kjo është ditë historike për vendin, edhe pse, sipas tij, e vonuar.

“Urime të gjithë qytetarëve të Kosovës! Një ditë historike për vendin tonë. Edhe pse e vonuar! Eurodeputetët më në fund miratojnë liberalizimin e vizave me Kosovën. Nga 1 janari lëvizim të gjithë të lirshëm! Akti do të nënshkruhet sot në ligj nga presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe Presidenca suedeze e BE-së”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

12:46 – Bislimi merr pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të liberalizimit të vizave

Zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të vendimit final që do të bëhet nesër në Strasburg.

“Vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare dhe hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit. Sipas këtij vendimi, qytetarët e Republikës së Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në zonën Schengen dhe atë jo më vonë se data 1 janar 2024”, u tha në njoftimin e Qeverisë përcjell Klankosova.tv.

12:45 – Reuten krenar që PE-ja ia hoqi vizat kosovarëve

Raportuesi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Thijs Reuten, ka thënë se më në fund Parlamenti Evropian e dha dritën e gjelbër për kosovarët që të udhëtojnë pa viza.

Reuten theksoi se Kosova është pjesë e Evropës, dhe se tani mund të hapet kapitulli tjetër, njofton Klankosova.tv.

“Parlamenti Evropian jep dritën e gjelbër përfundimtare për udhëtimin pa viza në BE për Kosovën”, shkroi Reuten.

“Krenar që më në fund e realizuam këtë premtim të vonuar të BE-së për qytetarët e Kosovës. Ju jeni pjesë e Evropës! Tani mund të hapim kapitullin tjetër duke ndërtuar më tej të ardhmen tonë të përbashkët evropiane”.

12:44 – Haradinaj: Liberalizimi i vizave, lajm i mrekullueshëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar heqjen e vizave për Kosovën.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky është një lajm i mrekullueshëm, teksa i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar në këtë proces.

“Lajm i mrekullueshëm nga Parlamenti Evropian, që sot hoqi pengesën e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën! Falënderim i veçantë për eurodeputetët për marrjen e këtij vendimi meritor dhe për gjithë ata që kontribuuan që ky proces të përmbyllet me sukses”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj shtoi se tani është momenti që Kosova po ashtu ta marrë sa më shpejt konfirmimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe fillimin e Partneritetit për Paqe.

“Urime Kosovë”, përfundoi ai.