Laporta mes lotësh pas akuzave për korrupsion ndaj Barçës: Do ta mbroj këtë stemë

Presidenti aktual i Barcelonës, Joan Laporta, është shfaqur i përlotur teksa paralajmëroi ata që akuzonin klubin e tij se do të luftonte për të pastruar emrin e klubit katalanas.

Kohët e fundit, Barcelonë është përfshirë në një uragan korrupsioni pasi u zbulua se midis viteve 2001-2018, klubi blaugrana kishte paguar ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Gjyqtarëve Jose Maria Enriquez Negreiro.

Në një event për kapitenët e klubeve të ndryshme sportive të Barcelonës, Laporta deklaroi mes lotëve se do të mbronte me të gjitha forcat emblemën e këtij klubi.
“Mezi pres të përballem me të gjithë ata të poshtër që na njollosin stemën. Barça është një klub me vlera. Ne e përdorim fjalën vlera jo për t’u dukur mirë, por sepse vlerat janë me të vërtetë një pjesë themelore e modelit tonë, e përsosmërisë sportive. Dhe kjo është arsyeja pse Barca është e respektuar dhe e njohur në të gjithë botën. Ndodh gjithashtu që disa, të motivuar nga zilia, përpiqen të dëmtojnë reputacionin tonë me fushata të kryera me keqbesim. Ndjenja e Barcelonës nuk mund të blihet e as të shitet, por as nuk mund të njolloset. Dhe kohët e fundit ka pasur disa sulme të ashpra për të njollosur stemën tonë, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Të jeni të sigurt se në bordin që kam nderin ta drejtoj, do ta mbrojmë me të gjitha forcat, jemi të bashkuar”, tha Laporta, përcjell abcnews.

Më pas ai përfundoi fjalimin e tij kur ishte në prag të lotëve.

“Mos mendoni se po emocionohem për shkak të dobësisë, jam i emocionuar sepse dua shumë të përballem me të gjithë ata të poshtër që po na përdhosin stemën. Askush të mos mendojë se është për shkak të dobësisë,” shtoi ai.