Liverpool “qesharak” përballë Bournemouth, “qershitë” çorodisin “të kuqtë” përballë sfidës së Champions League
Ka përfunduar me rezultatin minimal në favor të vendasve të Bournemouth sfida në “Vitality Stadium” mes tyre dhe “të kuqve” të Liverpool, me këta të fundit që kanë zhgënjyer gjithë futbolldashësit pas asaj paraqitjeje magjike javën e shkuar ku mundën me rezultatin 7 me 0, Manchester United.
Për golin e vetëm të sfidës mendoi “heroi” i “qershive”, Philip Billing, i cili ndëshkoi “të kuqtë” pas një kundërsulmi të rrufeshëm në minutën e 28’-të. Ndërkaq, për t’u përmendur është dhe një penallti e humbur e Mohamed Salah, në minutën e 68’-të, penallti e cila mund të kishte ndryshuar fatet e lojës, por nuk ndodhi kështu.
Me këtë fitore tejet deçizive Bournemouth ka shkuar në kuotën e 24 pikëve duke dalë për momentin nga zona e “ftohtë” e rënies nga kategoria. Në krahun tjetër, Liverpool pozicionohet në vendin e 5-të, me 42 pikë dhe ndodhet vetëm 3 pikë larg zonës Champions.