Sezoni 2022/23 ka marrë fund për Neymarin.
Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, sulmuesi brazilian ka vendosur ta kryejë një intervenim kirurgjik për ta zgjidhur çështjen e nyjës së këmbës, të cilën e lëndoi më 19 shkurt në ndeshje me Lillen.
Ish-futbollisti i Santosit dhe i Barcelonës është operuar sot në mëngjes në Doha të Katarit, njoftojnë mediat franceze, përcjell “Gazeta Express”.
Me këtë rast, merr fund këtu sezoni për përfaqësuesin brazilian, të cilin nuk e kanë lënë rehat lëndimet në vitet e fundit.
Ky mund të jetë edhe fundi i eksperiencës së Neymarit në Paris pasi flitet se gjatë verës ai mund të largohet nga “Parku i Princave”.
Për 31 vjeçarin thuhet se interesim kanë shfaqur klubet angleze, mbi të gjitha Chelsea, që mund të tentojë ta transferojë në verë.
Neymar njihet për rekordin e thyer për transferin më të shtrenjtë në histori të futbollit, 222 milionë euro, nga Barcelona në PSG.