Edi Rama deklarohet për moskalimin e rezolutës së Srebrenicës, thotë se ishte “lojë e ndyrë” e Sali Berishës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se hedhja e rezolutës për njohjen e gjenocidit ndaj boshnjakvë në Srebrenicë ishte lojë e Sali Berishës. Rezoluta nuk kaloi për shkak se nuk e votuan deputetët e PS-së. Rama thotë se ata që e kritikojnë moskalimin e kësaj rezolute, së pari duhet të lexojnë tekstin e saj.

Rama po ashtu e quan “lojë të ulët” hedhjen e kësaj rezolute në Kuvend. Ai thotë se personi që e bëri këtë lojë është shpallur non-grata nga SHBA dhe është po i njëjti që ka thyer embargon kundër Sllobodan Millosheviqit.

“Ata që hidhen përpjetë për gjoja dështimin e një rezolute mbi Srebrenicën në parlamentin shqiptar, si fillim duhet të pyesin po ç’ne kjo rezolutë sot, pse, me ç’rast? Pastaj duhet të informohen mbi tekstin në fjalë dhe në fund duhet ta mësojnë se ajo s’ishte rezolutë po lojë e ulët! Lojë e ulët e një të shpalluri nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, që njihet botërisht edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe që kapet deri edhe pas kockave të viktimave të kasapit të Beogradit, për t’u ringjallur nga varri i tij politik!”, shkroi ai.
Ai e përfundon cicërimën e tij në rrjetin social Tëitter duke thënë se “Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë”

“Keqardhje për ata që pa e pasur idenë fare të kësaj loje të ulët, ndjehet gabimisht të lënduar dhe neveri për ata që i shkojnë pas avazit të një të damkosuri si katran me bojë, po Srebrenica nuk mund të jetë letër për bojën e katranit të Shqipërisë!”, përfundoi ai.