Promovohet projekti “Ditari elektronik për persona me diabet”, donacion nga Bullgaria


Kryeministri bullgar, Kiril Petkov sot ia dorëzoi kryeministrit Dimitar Kovaçevski projektin për ndihmë në zhvillim “Ditari elektronik për persona me diabet”, donacion ky i Republikës së Bullgarisë.

Në bazë të projektit është përgatitur aplikacioni Ditari, i cili siç bëri të ditur menaxheri i përgjithshëm Sofçe Jovanovska do t’ua lehtësojë jetën të sëmurëve nga diabeti, ndërsa mjekëve do t’iu mundësojë të kenë mbikëqyrje të hollësishme në analizat e vlerave të matura të pacientëve.

Kryeministri bullgar, Petkov tha se diabeti është temë shumë afër zemrës së tij, sepse vajza e tij e dytë ka diabet të tipit 1 dhe dallimi mes jetës cilësore pa probleme dhe me probleme me këtë sëmundje është se sheqeri në gjak ndiqet në mënyrë të rregullt.

Në promovimin e projektit mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Para promovimit të projektit, siç bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë, është biseduar për rëndësinë e realizimit të projekteve për përmirësimin e situatës edhe në sferën e shëndetësisë.