“Pa parti arabe dhe pa shtet palestinez”/ Eisenkot fton Netanyahun në negociata për qeverinë e re në Izrael

Ish-shefi i ushtrisë izraelite dhe lideri i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, ka ftuar partinë Likud të kryeministrit në largim Benjamin Netanyahu në negociata për formimin e qeverisë së re të Izraelit. Nisma synon krijimin e një koalicioni sa më të gjerë, pas zgjedhjeve parlamentare të fundit të tetorit, të cilat nuk i dhanë shumicën absolute asnjërit prej kampeve politike.

Bisedimet pritet të nisin të dielën, ndërsa Eisenkot ka afat deri muajin e ardhshëm për të siguruar një shumicë parlamentare dhe për të formuar qeverinë e re.

Në një deklaratë, partia Yashar bëri të ditur se ftesa drejtuar Likud-it për një seri negociatash përfaqëson një “angazhim të vërtetë për formimin e qeverisë më të gjerë të mundshme”.

Eisenkot po shqyrton disa alternativa për krijimin e shumicës qeverisëse, përfshirë një aleancë me partitë ultra-ortodokse, një marrëveshje me partitë arabe ose një qeveri të unitetit kombëtar që do të përfshinte edhe Likud-in e Netanyahut.

Megjithatë, pavarësisht hapjes për negociata me përfaqësues të partisë së kryeministrit në largim, Eisenkot ka përjashtuar më herët mundësinë e bashkimit me një qeveri koalicioni të drejtuar nga vetë Netanyahu.

Nga ana tjetër, Likud reagoi menjëherë pas njoftimit, duke paraqitur kushtet për pjesëmarrjen në një qeveri të unitetit kombëtar. Partia kërkoi ndalimin e asaj që e cilësoi si “sulme personale dhe nxitje të urrejtjes” ndaj Netanyahut dhe qeverisë së tij.

Një tjetër kusht i rëndësishëm është përjashtimi i partive arabe nga koalicioni. Likud kërkon një deklaratë të përbashkët ku palët të angazhohen për krijimin e një qeverie që përfshin të gjitha partitë që mbështesin ekzistencën e Izraelit si shtet-komb i popullit hebre.

Kjo kërkesë vjen në një kohë kur partitë arabe, të cilat kanë 19 vende në parlament, kundërshtojnë qëndrimin e Netanyahut në pushtet. Kryeministri në largim dhe aleatët e tij kanë ndërmarrë sulme të ashpra politike ndaj këtyre forcave, duke kritikuar qëndrimet e drejtuesve të tyre pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Përveç këtyre kushteve, Likud ka paraqitur edhe një sërë parimesh që duhet të udhëheqin një qeveri të unitetit kombëtar. Mes tyre janë kundërshtimi i krijimit të një shteti palestinez, ruajtja e territoreve të pushtuara nga Izraeli në Siri, Liban dhe Gaza, si dhe arritja e një marrëveshjeje për rekrutimin ushtarak të hebrenjve ultra-ortodoksë.

Negociatat pritet të përcaktojnë nëse palët do të arrijnë një kompromis për krijimin e një qeverie të përbashkët, apo nëse ndasitë politike dhe kushtet e vendosura nga Likud do ta detyrojnë Eisenkot të kërkojë alternativa të tjera për sigurimin e shumicës parlamentare./ AFP

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo