Në Universitetin e Tetovës me akademi solemne u shënua 28 Nëntori, i pranishëm edhe Princ Leka II

Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Universiteti i Tetovës organizoi akademi solemne, në të cilën morën pjesë përfaqësues të institucioneve akademike dhe publike, profesorë, studentë dhe mysafirë. Këtë manifestim me praninë e tij e nderoi edhe përfaqësuesi i Familjes Mbretërore Shqiptare, Princ Leka II, në cilësinë e të ftuarit të nderit.
Akademia solemne iu kushtua rëndësisë historike dhe kombëtare të 28 Nëntorit, kësaj date madhore që mishëron përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për liri, pavarësi, dinjitet dhe ruajtje të identitetit kombëtar.
Akademinë solemne e hapi dekania e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi, e cila, pasi u uroi mirëseardhje të pranishmëve dhe në veçanti të ftuarit të nderit, Princit Leka II, theksoi se shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912 nuk ishte vetëm përmbushja e një aspirate historike, por edhe kurorëzimi i veprimtarisë, sakrificave dhe angazhimit të figurave të shumta që kontribuuan në formësimin e vetëdijes kombëtare shqiptare. “Për ne, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, 28 Nëntori ka një domethënie të veçantë. Ai është simbol i identitetit tonë kolektiv që përforcon ndjenjën e përkatësisë sonë kombëtare dhe lidhjen shpirtërore, historike dhe kulturore mes shqiptarëve, përtej kufijve shtetërorë. Kjo trashëgimi ka shërbyer si burim frymëzimi për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës e kulturës sonë. Dhe në këtë kontekst, Universiteti i Tetovës është dëshmi e vazhdimësisë së këtyre përpjekjeve dhe besimit në fuqinë e arsimit për ruajtjen e identitetit kombëtar.” – theksoi dekania, Prof. Dr. Sheruze Osmani Ballazhi.
Princi Leka II, në fjalimin e tij bëri një retrospektivë të historisë kombëtare shqiptare, nga epoka e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndërtimi i institucioneve të shtetit shqiptar. Ai foli për rolin e Familjes Mbretërore Shqiptare në historinë e shtetformimit, ndërsa vëmendje të veçantë i kushtoi themelimit të Universitetit të Tetovës, kontributit të themeluesve të tij dhe përpjekjeve të shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare. “Edhe familja ime është pjesë e kësaj historie. Gjyshi im, Mbreti Zog I, ia kushtoi mbretërimin forcimit të sovranitetit dhe ndërtimit të institucioneve të shtetit shqiptar. Sepse pavarësia nuk mjafton të shpallet; ajo duhet të ndërtohet dhe të mbrohet. Kjo përpjekje për identitet dhe dinjitet vazhdon të ketë rëndësi edhe sot. Universiteti i Tetovës, i themeluar në vitin 1994, është dëshmi e përpjekjes për të drejtën e shqiptarëve për arsimim në gjuhën amtare. Duhet të kujtojmë me respekt profesor Fadil Sulejmanin dhe të gjithë ata që e bënë këtë universitet realitet.” – u shpreh Princ Leka II.
Në vijim të fjalimit të tij, Princ Leka II theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, forcimit të vetëdijes kombëtare dhe edukimit të brezave të rinj me vlera atdhetare. Sipas tij, Dita e Pavarësisë është një thirrje për unitet, përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët për ndërtimin e një të ardhmeje të denjë për sakrificat e brezave që na paraprinë.
Referatin qendror të kësaj akademie solemne, kushtuar 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e paraqiti Prof. Dr. Isak Sherifi. Përmes një trajtimi të gjerë historik, ai i elaboroi rrethanat politike dhe gjeopolitike që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë, veprimtarinë diplomatike të Ismail Qemalit, angazhimin e Hasan Prishtinës dhe të atdhetarëve të tjerë shqiptarë, organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Shqiptare të vitit 1912, si dhe zhvillimet që kulmuan me mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës dhe nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Ai ndër të tjera trajtoi edhe sfidat me të cilat u përball shteti shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë, përpjekjet për konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe rëndësinë e Kongresit të Lushnjës e të Luftës së Vlorës në ruajtjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë. “Ismail Qemali na la një shtet, por edhe një amanet: ta duam, ta mbrojmë dhe ta ndërtojmë Shqipërinë me dinjitet. Patriotizmi nuk është vetëm krenari për të kaluarën, por përgjegjësi për të ardhmen. Flamuri që u ngrit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 nuk kërkon vetëm të kujtohet, por të nderohet me vepra, dije, unitet dhe sakrificë. Sepse Ismail Qemali nuk i përket vetëm historisë. Ai i përket ndërgjegjes së çdo shqiptari!” – theksoi Prof. Dr. Isak Sherifi.
Akademia solemne u përmbyll me një pikë artistike të realizuar nga studentet e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Rona Amiti në piano dhe Rinesa Krasniqi në solo këndim, të cilat interpretuan këngën “Udhët e mia” të Ilir Shaqirit, duke i dhënë këtij manifestimi një dimension të veçantë artistik dhe emocional.

Në Universitetin e Tetovës me akademi solemne u shënua 28 Nëntori, i pranishëm edhe Princ Leka II

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo