Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut organizoi një pritje solemne në Shkup, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, personalitete të jetës politike, diplomatike, kulturore dhe shoqërore.
Në këtë organizim festiv, ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, mbajti një fjalë përshëndetëse, duke theksuar rëndësinë historike të shpalljes së Pavarësisë dhe sakrificën e brezave shqiptarë për liri, pavarësi dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Në fjalimin e tij, Meidani rikujtoi momentin historik të 28 Nëntorit 1912, kur në Vlorë u ngrit flamuri kombëtar dhe u shpall Shqipëria e lirë dhe e pavarur, në rrethana të vështira politike dhe historike.
Ai theksoi se pavarësisht mungesës së ushtrisë, financave dhe njohjes ndërkombëtare në atë kohë, themeluesit e shtetit shqiptar kishin një flamur, një vendim dhe një bindje të palëkundur për të ardhmen e vendit.
“114 vjet më parë, në Vlorë, 40 burra nga të gjitha trojet shqiptare vunë emrin poshtë një dokumenti prej pak rreshtash. Shqipëria, shkruan ata, do të ishte e lirë dhe e mosvarur. Ushtri nuk kishim, thesar nuk kishim, asnjë fuqi e madhe nuk e kishte njohur ende dhe pjesa më e madhe e vendit ishte nën ushtri të huaja. Kishin një flamur, një vendim dhe fjalën e dhënë”, u shpreh Meidani, njofton TS.
Ambasadori gjithashtu vuri në pah marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe perspektivës së përbashkët evropiane.
“Shqipëria e do Maqedoninë e Veriut të fortë, të begatë dhe pranë saj në tryezën evropiane. Suksesi i njërit është edhe suksesi i tjetrit. Fqinjësia jonë është një derë që rri hapur, miqësia jonë është buka që e ndajmë kur hyjmë brenda”, deklaroi ambasadori.
Pritja solemne në Shkup u zhvillua në atmosferë festive, duke bashkuar përfaqësues të jetës institucionale dhe publike për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.