Adem Demaçi, Ibrahim Rugova dhe historia që nuk duhet të rishkruhet sipas interesave politike
Dëgjova një intervistë në televizionin Euronews Albania, në të cilën u diskutua libri i Jakup Azemit, “Krijimi i Kosovës Moderne”. Intervista më nxiti të reagoj, sepse, nga ajo që dëgjova, krijova përshtypjen se historia e Kosovës po paraqitet në mënyrë të njëanshme, duke glorifikuar disa figura politike dhe duke lënë në hije kontributin e shumë të tjerëve.
Ende nuk e kam lexuar librin, prandaj nuk pretendoj të gjykoj përmbajtjen e tij të plotë. Por ajo që u tha në intervistë më shqetësoi. Sidomos mënyra, sipas autorit, Ibrahim Rugova paraqitej pothuajse, si një figurë e shenjtë, duke u ngritur mbi të gjithë historinë e rezistencës shqiptare.
Unë e kam përjetuar vetë historinë politike të Kosovës. E kam njohur periudhën kur Ibrahim Rugova ishte pjesë e strukturave politike të kohës jugosllave, si dhe periudhën kur u bë lider i LDK-së. Prandaj, nuk mund ta shoh historinë vetëm përmes portretizimeve të sotme politike.
Adem Demaçi – Mandela i Kosovës
Nëse dëshirojmë të flasim për historinë moderne të Kosovës, atëherë duhet të fillojmë edhe me një emër që nuk mund të anashkalohet: Adem Demaçi.
Që nga themelimi i Jugosllavisë socialiste, burgjet e saj u mbushën me shqiptarë që kërkonin të drejtat kombëtare, politike dhe njerëzore. Për dekada të tëra, shqiptarët u përndoqën, u burgosën dhe u dënuan për bindjet e tyre dhe për kërkesën për liri e barazi.
Në mesin e tyre qëndron Adem Demaçi, i cili kaloi rreth 28 vjet në burgjet jugosllave. Për qëndresën dhe sakrificën e tij u bë i njohur ndërkombëtarisht si “Mandela i Kosovës”.
Adem Demaçi nuk kishte nevojë për mite apo për glorifikime të krijuara pas vdekjes. Jeta e tij ishte dëshmi e gjallë e rezistencës shqiptare.
Shtrohet pyetja: si mund të shkruhet historia e Kosovës moderne pa i dhënë vendin që meriton Adem Demaçit dhe mijëra shqiptarëve të tjerë që vuajtën në burgjet jugosllave?
A mos fillon historia e Kosovës vetëm atëherë kur u krijua LDK-ja?
Jo! Historia jonë ka filluar shumë më herët.
Perëndimi e njihte çështjen shqiptare, por mbronte interesat e veta
Duhet të jemi të qartë edhe për një çështje tjetër historike. Demonstratat shqiptare në Kosovë nuk u mbështetën politikisht nga fuqitë perëndimore në atë kohë.
Por kjo nuk do të thotë se, Perëndimi nuk i njihte vuajtjet e shqiptarëve apo nuk ishte në dijeni të represionit jugosllav.
Fuqitë perëndimore kishin interesat e tyre strategjike. Pas Luftës së Dytë Botërore, Jugosllavia e Titos ishte bërë një faktor i rëndësishëm në ekuilibrat ndërkombëtarë. Ruajtja e stabilitetit të saj ishte për një kohë të gjatë në interes të politikës perëndimore.
Prandaj, është e pasaktë të krijohet përshtypja se vetëm Ibrahim Rugova arriti t’ia bëjë të njohur botës çështjen e Kosovës.
Shqiptarët kishin protestuar, kishin demonstruar, kishin dërguar peticione dhe kishin ngritur çështjen e tyre në institucionet ndërkombëtare shumë përpara krijimit të LDK-së.
Demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981 ishin dëshmi e qartë se populli shqiptar nuk ishte i heshtur dhe as i dorëzuar.
LPK-ja dhe rezistenca që nuk mund të fshihet
Edhe Lëvizja Popullore e Kosovës kishte një rol të rëndësishëm në organizimin dhe mbajtjen gjallë të rezistencës kombëtare.
Që nga fillimi i viteve 1980, veprimtarët shqiptarë organizuan protesta, demonstrata dhe aktivitete politike, si brenda Kosovës, ashtu edhe në diasporë. U dërguan peticione dhe memorandume te institucionet dhe qeveritë perëndimore, duke kërkuar ndërgjegjësimin ndërkombëtar për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi.
Unë, jam njëri nga ata që kam marrë pjesë në këtë veprimtari.
Edhe pas krijimit të LDK-së, ne të LPK-së vazhduam aktivitetin tonë. Në Gjenevë, para institucioneve të OKB-së, organizuam protesta për disa ditë. Edhe unë, së bashku me mijëra shqiptarë të tjerë, brohorisja:
“Republikë, Kosova! Ibrahim Rugova!”
Kjo tregon se ne nuk ishim kundër çdo bashkëpunimi politik dhe as kundër kërkesës për pavarësi. Por kjo nuk do të thotë se duhej të hiqnim dorë nga bindjet tona dhe nga e drejta për rezistencë.
Ibrahim Rugova dhe politika e pasivizimit të rezistencës
Unë nuk e mohoj se Ibrahim Rugova arriti të mobilizonte një numër shumë të madh shqiptarësh përmes LDK-së. Sipas shifrave që janë përmendur në diskutimet politike të asaj kohe, anëtarësia e saj arriti në qindra mijëra veta.
Por shtrohet një pyetje themelore: çfarë u bë me atë mobilizim të jashtëzakonshëm popullor?
Për mendimin tim, politika e Rugovës, me strategjinë e saj të rezistencës paqësore, ndikoi edhe në pasivizimin e një pjese të madhe të energjisë politike dhe kombëtare të popullit shqiptar.
Duhet analizuar edhe konteksti i interesave të Beogradit. Serbia kishte interes që rezistenca shqiptare të dobësohej dhe që çështja e Kosovës të mbahej brenda një procesi politik pa sfiduar drejtpërdrejt pushtetin e saj. Në këtë kuadër, është legjitime të shtrohen pyetje kritike për pasojat e strategjisë politike të Rugovës.
Por, këto janë çështje që kërkojnë analizë dhe dokumentim historik, jo vetëm interpretime personale.
Pavarësia e Kosovës nuk u realizua në vitet kur Rugova dhe LDK-ja kishin krijuar atë mobilizim të madh popullor. Ajo u shpall më 17 shkurt 2008, pas një historie të gjatë rezistence, sakrifice dhe ndërhyrjes ndërkombëtare.
UÇK-ja dhe sakrifica e familjes Jashari
Një tjetër kapitull që nuk mund të anashkalohet është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Pa sakrificën e Adem Jasharit, të familjes së tij, të mijëra luftëtarëve dhe të popullit shqiptar, historia e Kosovës nuk mund të kuptohet drejt.
UÇK-ja e ktheu çështjen e Kosovës në një realitet të ri politik dhe ushtarak. Sakrifica e familjes Jashari në Prekaz u bë simbol i qëndresës dhe i vendosmërisë për liri. Unë kam qëndrim kritik ndaj mënyrës sesi Ibrahim Rugova e trajtoi, e mohoi politikisht rezistencën e armatosur.
Marrëdhëniet e tij me UÇK-në dhe qëndrimet e tij ndaj luftës çlirimtare ishin të ngrira, me shumë mospajtime; për të mos thënë të armiqësuara duhet të analizohen, pse Ibrahim Rugova i kishte ato qëndrime; mbi bazën e fakteve, të deklaratave dhe dokumenteve të kohës.
Asnjë figurë politike nuk duhet të jetë mbi kritikën historike.
Historia nuk është pronë e askujt!
Sot, kur dëgjojmë intervista dhe lexojmë libra që pretendojnë të shpjegojnë krijimin e Kosovës moderne, duhet të kërkojmë një gjë të thjeshtë: të vërtetën historike.
Nuk mund të ndërtohet historia e Kosovës duke e ngritur një individ në piedestal dhe duke i lënë në harresë të tjerët.
Nuk mund të harrohet veprimtaria dhe reazistenca Adem Demaçi, i cili kaloi dekada në burgjet jugosllave.
Nuk mund të harrohen veprimtarët e LPK-së dhe organizatat e tjera kombëtare.
Nuk mund të harrohen demonstruesit e vitit 1968 dhe 1981.
Nuk mund të harrohen, protestuesit në mërgatë, familjet e të burgosurve politikë, dëshmorët dhe luftëtarët e UÇK-së.
Unë kam qenë pjesë e kësaj historie dhe nuk mund të pranoj që, përvoja e një brezi të tërë të fshihet ose të rishkruhet sipas interesave të autorëve dhe politikanëve të sotëm.
Çështja shqiptare nuk është krijuar nga një individ, nuk është çliruar nga një parti dhe nuk është bërë e pavarur vetëm nga një strategji politike.
Ajo është rezultat i shumë brezave, i burgjeve, i demonstratave, i organizimit kombëtar, i rezistencës dhe i gjakut të dëshmorëve.
Prandaj, para se të shkruajmë për krijimin e Kosovës moderne, duhet të kemi guximin ta tregojmë të gjithë historinë.
Adem Demaçi nuk duhet të jetë një fusnotë në historinë e Kosovës. Ai, është një nga kapitujt e saj më të rëndësishëm.
Dhe asnjë libër, asnjë intervistë dhe asnjë individ nuk ka të drejtë ta tjetërsojë historinë tonë kombëtare.
Historia duhet të shkruhet me të vërteta, jo me mite. Çlirimi i pjesërishëm i Kosovës është vepër e një popullit tonë liridashës.
Kopenhagë 17. 11. 2026
Sign in
Sign in
Recover your password.
A password will be e-mailed to you.
Trending
- Radoiçiq nuk u paraqit në polici, gjykata në Beograd lëshon fletarrestim
- Pacientja më e re me kancer qervikal ka vetëm 18 vjet, mjekët u bëjnë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre
- Mexhiti takohet me Halil Kastratin, synojnë ndërtimin e shkollës për 200 fëmijë me nevoja të veçanta në Çair
- Vazhdon SKANDALI/ Granit Osmani edhe kunatin – vëllain e gruas, Jusuf Sopin e ka drejtor në VLEN me pagë 2 mijë euro në muaj!
- Blenë sistem IT për 2,7 milionë euro për Agjencinë e Punësimit, por nuk kanë paguar për mirëmbajtje
- Thaçi pas dënimit prej 17 muajsh: Kjo është politikë, jo drejtësi
- Procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Tetovës, Teuta Arifi: Besoj në integritetin e drejtësisë, jam plotësisht e pafajshme
- Haga e dënon Thaçin me 1 vjet e 5 muaj burgim për pengim të drejtësisë
- BOZHINOVSKA NË FORUMIN E SHTATË PËR BASHKËPUNIMIN ENERGJETIK TRANSATLANTIK NË VARSHAVË
- Qeveria shpall gjendje emergjente në furnizimin me energji, Ibër-Lepenci detyrohet të prodhojë rrymë nga Ujmani