Aksidenti me cisternë trondit Egjiptin, 31 të vdekur





Një aksident i rëndë me një autobot karburanti shkaktoi një zjarr masiv në një autostradë kryesore që rrethon Kajron, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 31 personave, njoftuan autoritetet egjiptiane. Zjarri shpërtheu në një nga arteriet kryesore rrugore që rrethon kryeqytetin egjiptian.

Si pasojë, të paktën 21 persona të tjerë mbetën të lënduar, ndërsa më shumë se dy duzina automjetesh dhe motoçikletash u shkrumbuan nga flakët, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Qarkullimi rrugor gradualisht iu kthye normalitetit, pasi automjetet rifilluan të kalonin në zonën e aksidentit, mes mbetjeve të djegura nga zjarri. Në vendngjarje, shoferi i një minibusi, ndau trishtimin për tragjedinë.

“Të gjithë janë në gjendje shoku. Është vërtet një tragjedi e rëndë. Isha duke ardhur për këtu kur ndodhi aksidenti. Falë Zotit, isha dy minuta me vonesë dhe mbërrita pasi kishte ndodhur gjithçka. Egjipti është në zi dhe nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen”, deklaroi Salah Ahmed, vozitës minibusi.

Aksidentet e rënda rrugore shkaktojnë mijëra viktima çdo vit në Egjipt, një vend që ka një bilanc të dobët sa i përket sigurisë në transport. Shpejtësia e lartë, gjendja e keqe e rrugëve dhe zbatimi i dobët i rregullave të qarkullimit rrugor janë ndër shkaqet kryesore të shumicës së aksidenteve.

App Icon
TetovaSot App
Shkarkoje tani nga playstore!
Instalo