Sot, në hapësirat e Rektoratit të Universitetit të Tetovës, u zhvillua ceremonia solemne që shënoi fillimin e vitit të ri akademik 2026/2027. Kjo ngjarje përfaqëson një moment tejet të veçantë për Universitetin, pasi i dedikohet kryesisht pritjes së studentëve të rinj, të cilët ulen për herë të parë në auditorët e këtij institucioni për të nisur një kapitull të ri në rrugëtimin e tyre arsimor dhe profesional.
Në fjalën e tij drejtuar studentëve, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti theksin e vuri te studentët, duke thënë se shumë prej tyre, kanë ardhur me emocione të ndryshme. Dikush me shumë entuziazëm, dikush me kureshtje, dikush me pasiguri. Disa prej tyre e kanë ditur prej vitesh se çfarë duan të studiojnë dhe çfarë duan të bëhen. Të tjerë ndoshta ende po e kërkojnë rrugën e tyre. Sipas tij, kjo është krejtësisht normale. “Ju nuk vini në Universitet sepse i dini të gjitha përgjigjet. Ju vini këtu për të mësuar se si të kërkoni përgjigje. Dhe ndoshta edhe më e rëndësishme: për të mësuar se si të bëni pyetjet e duhura. Në vitet që keni përpara do të fitoni shumë njohuri profesionale. Por shpresa ime është që Universiteti t’ju japë shumë më tepër se kaq. T’ju mësojë të mendoni në mënyrë të pavarur. Të argumentoni. Të dëgjoni mendimin ndryshe. Të kërkoni prova. Të mos e pranoni të gatshme çdo gjë që ju thuhet. Të keni kurajën për të pyetur “pse?”, por edhe pjekurinë për të pranuar kur dikush tjetër ka argumentin më të mirë. Do të keni ditë të bukura. Do të keni suksese që do t’ju bëjnë krenarë. Do të keni profesorë që do t’ju frymëzojnë, miq që do t’ju qëndrojnë pranë dhe ide që ndoshta do t’jua ndryshojnë mënyrën se si e shihni botën. Por, do të ketë edhe ditë të vështira. Do të ketë provime që nuk do të shkojnë ashtu siç dëshironi. Do të ketë lodhje, dyshime dhe momente kur do të pyesni veten nëse mundeni. Në ato momente, mos harroni pse keni ardhur këtu. Mos lejoni që një notë, një provim apo një pengesë e përkohshme t’ju bindë se nuk jeni të aftë. Jeta akademike nuk është një rrugë pa pengesa. Është një rrugë në të cilën mësojmë edhe nga pengesat. Shpesh, pikërisht momentet më të vështira na mësojnë më shumë për veten sesa momentet e suksesit. Ju filloni studimet në një kohë jashtëzakonisht interesante. Bota përreth nesh po ndryshon me një shpejtësi të madhe. Inteligjenca artificiale, digjitalizimi dhe teknologjitë e reja po ndryshojnë profesionet, ekonominë, shkencën dhe vetë mënyrën se si mësojmë. Shumë nga ju, pas disa vitesh, do të punoni në profesione që sot do të duken krejt ndryshe, ndërsa disa mund të punoni në profesione që sot ende nuk ekzistojnë. Kjo do të thotë se detyra jonë si Universitet nuk mund të jetë vetëm t’ju përgatisim për një provim apo për vendin tuaj të parë të punës. Duhet t’ju përgatisim për një jetë në të cilën do t’ju duhet të mësoni vazhdimisht. Ndërsa detyra juaj është të mos kënaqeni vetëm me atë që do të dëgjoni në auditor. Lexoni më shumë. Kërkoni më shumë. Përdorni laboratorët. Shfrytëzoni bibliotekën. Merrni pjesë në projekte. Bëni kërkime. Mësoni gjuhë. Përdorni teknologjinë për të krijuar, jo vetëm për të konsumuar. Në emër të Universitetit të Tetovës, ju falënderoj për besimin që na keni dhënë. Ne do të bëjmë gjithçka që është në përgjegjësinë tonë që fëmijët tuaj të kenë mundësi të mësojnë, të zhvillohen dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre.” – tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Në përfundim të aktivitetit, udhëheqësia e Universitetit të Tetovës, në mënyrë simbolike, bëri shpërndarjen e indeksave për disa prej studentëve të rinj. Përmes këtij akti, studentëve iu urua suksese, motivim dhe mbarësi gjatë viteve të studimit që i presin. Pas përfundimit të ceremonisë qendrore, studentët, të shoqëruar nga profesorët e tyre, iu drejtuan fakulteteve përkatëse. Gjatë këtyre takimeve, ata patën mundësinë të njihen nga afër me mjediset, kushtet e studimit dhe kapacitetet e infrastrukturës moderne dhe teknologjike që posedon universiteti ynë.
Fillimi i vitit të ri akademik me një ceremoni solemne u shënua edhe në Kumanovë. Në këtë ngjarje të rëndësishme për studentët e këtij rajoni, morën pjesë Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dekani i Fakultetit të Administrimit të Biznesit, Prof. Dr. Naser Raimi, si dhe profesorë nga fakulteti përkatës, të cilët u uruan mirëseardhje dhe suksese studentëve në sfidat e tyre të reja.
Sign in
Sign in
Recover your password.
A password will be e-mailed to you.
Trending
- Universiteti i Tetovës i hapi dyert për studentët e rinj (VIDEO)
- Von der Leyen nga Prishtina: Aktgjykimi i Hagës duhet respektuar, por historia e Kosovës nuk rishkruhet
- Ibrahimi: Shqiptarët s’i ndan vetëm kufiri, por edhe fiqiri
- Protestë në mbështetje të katërshes së UÇK: Çlirimtarët e Kosovës duhet të shpallen të pafajshëm
- LSDM: Të shkarkohet Stoilkoviqi, po zbaton agjendë serbo-ruse
- “Ballë për ballë” – Gani Geci i përgjigjet Xhavit Halitit: Kur doni, kush po doni
- Hiqet shqiponja nga maja e Korabit, Federata shqiptare kërkon identifikimin e përgjegjësve
- Panairi Mbarëkombëtar i Librit Akademik dhe Shkencor në UT – aty ku kujtesa takohet me dijen
- Ilir Shaqiri ndan tekstin e këngës ‘Jo në emrin tim’: S’ka as ditë të mbarë pa u kthy n’atdhe trimat çlirimtarë (VIDEO)
- Ursula von der Leyen nesër në Shkup, takim kokë më kokë me kryeministrin Mickoskin